Partia Demokratike ka sulmuar sot qeverinë ‘Rama’ për sektorin e shëndetësisë, koncensionet apo dhe papunësinë në vend. Në një dalje publike nga selia blu, deputetja e PD, Lindita Metaliaj pohoi se në 5 vite qeverisje nga Rama janë rritur taksat, bashkë me papunësinë dhe varfërinë.

Sipas Metaliajt, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet, do të anulohen koncesionet korruptiv. Ndërkohë ajo theksoi se me ligjin e ndryshuar antimafia, çdo pasuri dhe qindarkë e grabitur, do t’u kthehet shqiptarëve!

DEKLARATA E PD

Në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës shumë gjëra kanë shkuar keq e më keq.

Taksat janë rritur
Varfëria është rritur
Papunësia është rritur
Korrupsioni është rritur
Por më keq nga të gjithë sektorët është shëndetësia!

 

Shqiptarët që, sipas premtimit mashtrues të Edi Ramës duhet të kishin shëndetësinë falas, pas 5 vitesh kanë nje sistem më të keq shëndetësor dhe paguajnë shumë më shtrenjtë për jetën.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përkufizuar me 1 fjali përkeqësimin e sistemit shëndetësor në 4 drejtime kryesore. Po citoj:

“Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor, ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare, QSUT.”-thuhet në konkluzionin e KLSH-së.

Së pari: Mungesa e specialiteteve, pra e mjekeve specialistë në spitalet e vendit tregon dështimin total të qeverisë me shëndetësinë. Për shkak të mungesave skandaloze të pajisjeve në spitale, mjekët ose nuk pranojnë të shkojnë ne rrethe ose largohen në emigrim.

Së dyti: Mungesa e performancës në shërbimin parësor, pra në qendrat shëndetësore është treguesi më i qartë sesi sistemi është lënë në mëshirë të fatit, pa investime, me infrastrukturë të rrënuar, pa pajisje, pa ilaçet më elementare.

 

Sistemi është vënë në shërbim të koncesioneve korruptive, veçanërisht të check up-it, pasi puna e mjekut dhe infermierit matet jo si i shërben qytetarit, por me sa analiza check up bën në muaj.