Ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat hodhi akuza mbi qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në një makineri të pastrimit të parave të pista.

Duke iu referuar disa raporteve nga Uashingtoni ku e kanë cilësuar Shqipëinë si vend kryesor të pastrimit të parave, ai thotë se kryeministri nuk ka plan për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Sipas tij, Rama ka shumëfishuar aktivitetin e pastrimit të parave të pista madje tentoi dhe aministinë fiskale për të ligjërimin e tyre.

“Projekti politik i Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin e organizuar e ka shndërruar Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes.

Imazhi i Shqipërisë është ai i një vendi ku lehtësisht mund të investohen dhe të pastrohen paratë e aktivitetit kriminal. Ky nuk është një konkluzion i Partisë Demokratike, por është gjetje konstante e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Për 4 vite rresht raportet zyrtare të Uashingtonit e cilësojnë Shqipërinë si “vend kryesor për pastrimin e parave”, për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe zbatimit të dobët të ligjit nga qeveria.

I njëjti shqetësim është ngritur nga strukturat e specializuara të Këshillit të Europës dhe, së fundmi, edhe nga organizata të huaja që llogarisin se në Tiranë, vetëm në 3 vitet e fundit, janë pastruar rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit.

Cili është reagimi i qeverisë në ikje të Edi Ramës? A po e lufton qeveria fenomenin e pastrimit të parave, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në rrënimin e biznesit të ndershëm, apo që zhvlerëson kursimet e shtresës së mesme me çmime stratosferike artificiale?

Shqiptarët e kanë provuar në lëkurën e tyre se kryeministri në ikje jo vetëm nuk ka në plan të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por ka shumëfishuar aktivitetin kryesor të pastrimit të parave, dhënien e lejeve të ndërtimit në të gjithë vendin, veçanërisht në kryeqytet dhe në bregdet.

Një sërë ndërtimesh të mëdha në Tiranë; projekte të resorteve turistike në bregdet, mbi pasuritë e vjedhura publike dhe private; një pjesë e mirë e koncesioneve po mbështeten me para të pista dhe janë mekanzima për riciklimin e parave të ardhura nga droga dhe korrupsioni.

Në vend që të luftojë pastrimin e parave, qeveria në ikje e Edi Ramës tentoi të bëjë amnisti fiskale për ligjërimin e parave të pista të krimit dhe të korrupsionit të qeveritarëve.

Me Partinë Denokratike në krye të qeverisë së vendit nuk do të ketë amnisti fiskale për krimin dhe për pastrimin e parave të pista të pushtetit të korruptuar.

Plani ynë “Ndiq paranë” do të jetë një instrument i fortë që në Shqipëri të sundojë ligji, puna e ndersh, në mënyrë që paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar të mos i zënë frymën ekonomisë së familjeve shqiptare” – deklaroi Alibeaj.

Artikulli paraprakPËRFUNDON TESTIMI FIZIK, GATI PËR NISJEN E KURSIT 1 VJEÇAR PËR OFICER, XHAÇKA: FA, MUNDËSI PËR KARRIERË
Artikulli tjetërNJE BANESE NE SHKODER PERFSHIHET NGA FLAKET