Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar në Facebook historinë e një pronari të një biznesi të vogël dhe thotë se shqiptarët po përjetojnë krizë të thellë ekonomike dhe papunësie.

Në videon e publikuar nga Basha, Met Sejdini, pronar i një bar-restoranti shprehet se në vitin 2018 xhiroja e biznesit që kishte kapur shifrën e 33 milionë lekëve të vjetra, me vendim qeverie e kaluan në biznes me TVSH. Kjo gjë e detyroi atë të paguajë kostot e larta të detyrimeve që i ngarkohen biznesit të tij. Ai shprehet se në 2019-ën, si rezultat i rënies së konsumit, edhe te biznesi i tij pati rënie të xhiros dhe kjo xhiro vajti në 22 milionë lekë, por ai vazhdon të paguajë detyrimet si biznes me TVSH.

Përpos kësaj, duhet të paguajë edhe taksat e bashkisë, që janë një kosto shtesë dhe që e kanë bërë që biznesin ta mbajë me sforco të mëdha duke marrë kredi për ta mbajtur hapur.