JAVËN E ARDHSHME PRITET TË KRYHET KONSTITUIMI I KRYETARIT TË RI .

Burime pranë selisë blu, ndonëse ende jo zyrtarisht, kanë bërë të ditur në më shumë së 90% të saj së cilët do të jenë ata që janë votuar për anëtarësinë e kryesisë. Kjo listë në fakt deri diku ka surprizuar sepse në përbërje ka rreth 15 emra të rinj të cilët nuk kanë qenë më parë, duke lënë jashtë edhe eksponentë të rëndësishëm të PD-së së Shkodrës, që natyrisht kanë pretenduar por nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për të qenë në kryesinë e Partisë.

Nga lista prej 61 kandidatëve të meshkujve, 14 prej tyre janë të konfirmuar prej të cilëve 8 janë emra të rinj. Agim Plepi, Alban Seknaj, Altin Salihi, Aleksandër Marleci, Gentian Ibro, Pjerin Rraboshta dhe Arben Lushaj janë grupi i cili për të parën herë do jetë pjesë e kryesisë. Nga armata e vjetër mbeten ish-kryetari i PD-së Astrit Bushati sëbashku me Bashkim Rrojin, Qashif Hoxhën, Ahmet Omin, Xhemal Bushatin, Xhevdet Amulin dhe kryetarin e ri të Partisë, Ramiz Çobaj. Ndërkohë që ende nuk është konfirmuar Emiljano Pjetri sëbashku me 2-3 emra të tjerë që nuk bëhen publik deri në një vendim të qendrës.

Kanë mbetur jashtë emra të njohur si Artan Haxhi, Artur Luka, Bardhyl Lohja, Eduard Bardeli, Filip Guraziu, Nesti Kiri, Rudolf Rasha, Sabri Bushati, Agron Akshija apo ndonjë emër tjetër me peshë në PD-në e Shkodrës.

Sa i takon listës prej 20 kandidatëve femra, e cila ka qenë më vehte, përveç Arenca Trashanit që konfirmohet sërish, 5 të tjerat janë prurje të reja. Kështu bëhet fjalë për Vildana Gushta, Gjeorgjeta Hila, Elmira Nehani, Greta Bardeli dhe Irma Kopliku.

Në anëtarësinë e kryesisë të zgjedhurit vendor, si kryebashkiaku Lorenc Luka dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Maxhid Cungu bashkë me deputetët e PD-së së qarkut Shkodër, kryetarët e forumit rinor dhe lidhjes demokratike të gruas do të jenë pjesë e saj.

Sa i takon atyre që kanë kandiduar nga komunat, nuk ka shumë risi. Nga 9 të zgjedhur vetëm 2 janë emra të rinj, Aleksandër Pashuku dhe Ridvan Guri, ndërsa konfirmohen përsëri Zef Hila, Pjetër Lleshi, Ndoc Ashta, Faz Shabaj, Broz Marku, Arben Gjuraj dhe Nikollë Marku.

Ashtu si në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri Ramiz Çobaj edhe në garën për anëtarësinë e kryesisë ka patur pretendime të ndryshme. Javën e ardhshme pritet të bëhet konstituimi për kryetarin e ri dhe kryesine e PD-së Shkodër.