ARRIHET MARRËVESHJA THAÇI – MUSTAFA PËR KOALICIONIN.Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë rënë dakord për formimin e qeverisë së re duke i dhënë fund tashmë ngërçit politik në Kosovë që vazhdon që pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Lajmi bëhet i ditur nga një komunikatë për shtyp e Presidencës së Kosovës, ku bëhet e ditur se marrëveshja në parim mes palëve është arritur gjatë një takimi që dy liderët politikë kanë zhvilluar me Presidenten Atifete Jahjaga,

si dhe me praninë e ambasadores së SHBA-ve Tracey Ann Jacobson.Në njoftimin për shtyp thuhet se si Thaçi ashtu edhe Mustafa janë dakordësuar në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet PDK dhe LDK për të ndërtuar institucionet e reja në Kosovë.Si Thaçi ashtu edhe Mustafa kanë shprehur vullnetin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve duke i dhënë fund kështu ngërçit politik disa mujor në Kosovë. Në këtë mënyrë pas kësaj marrëveshje AAK, Vetëvendosje dhe Nisma mbeten në opozitë.“Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, zotëri Thaçi dhe zotëri Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë.” thuhet në komunikatën për shtyp të Presidencës së Kosovës