Skocezi David Brown, i cili u dënua në vitin 2008 me 20 vjet burg nga gjykata e Tiranës për abuzim me të miturit, kërkon lirim të parakohshëm.

Kërkesa e britanikut ka ardhur në një moment kur ai ka kryer dy të tretat e dënimit. Kërkesa e britanikut po shqyrtohet nga gjyqtarja Tereza Lani.

David Brown u dënua nga dëshmitë e dy djemve që ishin banorë të qendrës “Fëmijët e Tij” në të cilën strehoheshin fëmijët e braktisur dhe në nevojë ekonomike, kryesisht të moshës nga 2 deri 14 vjeç. Dy djemtë romë, tashmë të moshës 18 dhe 22 vjeç thonë se kanë pasur presion nga policia dhe psikologu për të bërë dëshmi të rreme.

Ata kanë deklaruar për Sunday Mail se janë të gatshëm të pranojnë gënjeshtrat e tyre në gjykatë, një lëvizje kjo e cila do të çojë në lirinë e Brown.

Plot 10 djem të qendrës dhanë dëshmi kundër Brown dhe dy të bashkëpandehurve të tij Dino Kristodulu 52 vjeç i dënuar për pedofili dhe Robin Arnold 63 vjeç.

Brown, i cili ka mohuar gjithmonë akuzat duke deklaruar se është i pafajshëm, beson se makthit të tij në kryeqytetin shqiptar do t’i vijë fundi.

Ai ka deklaruar vitin e kaluar në medias se pas lirimit se do të qëndrojë në Shqipëri për t’u angazhuar sërish në fushën e bamirësisë ku punonte më herët.

Skocezi David Brown mbërriti në Shqipëri në vitin 2000. Një vit më pas, me mbështetjen e kishave në Shqipëri dhe Britani të Madhe, ai hapi një jetimore dhe ka ndihmuar fëmijët romë që lypin në rrugë dhe i ka mbështetur ato me ushqim dhe të holla.

Prej vitit 2006 ai vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë 302 në Tiranë, si i vetmi i huaj mes 300 të burgosurve.

Artikulli paraprakDY VLLAZNITË NË STËRVITJE, NË KRYE ERVIS KRAJA
Artikulli tjetërNDALOHET 63 VJEÇARI DYSHOHET SE LA SHTATZËNË 18 VJEÇAREN