Me qëllim mbarëvajtjen sa më të mirë dhe të sigurt të pelegrinazhit në Kishën e “Shna Ndout” në Laç, më datat 12-13 Qershor 2018, autoritetet atje angazhuan strukturat e policisë me të gjitha mjetet logjistike të duhura për çdo rast.

Në një njoftim për mediat, sqarohet se në total u angazhuan rreth 260 forca policore, të dislokuara në pika të caktuara për menaxhimin e trafikut dhe fluksit, si dhe në patrullim për të ruajtur rendin dhe sigurinë e brendshme.

Në gatishmëri dhe veprim në terren ishin shërbimet policore të Rendit, Forcat e Policisë Kriminale, Agjentë të Drejtorisë Antiterror, Grupet e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe Policia Rrugore.

“Gadishmëria dhe veprimi në terren kishin objekti sigurimin e rendit dhe qetësisë publike në Kishën e Shna Ndout si dhe në Laç. Parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe mbajtjen nën kontroll të personave me precedent të mëparshëm kriminal.

Parandalimin e shkeljeve administrative dhe të aksidenteve automobilistike, rritjen e sigurisë rrugore”, thuhet më tej në njoftim.

Gjatë këtyre 2 ditëve dhe netëve pelegrinazh në Kishën e “Shna Ndout ” nuk është shënuar asnjë incident, aksident apo ngjarje tjetër kriminale.

Policia e Lezhës falenderon të gjithë drejtuesit e mjeteve apo këmbësorë, banorë të Laçit dhe pelegrinë, për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në mbarëvajtjen e këtij pelegrinazhi.