Prej vitit 2015 çdo i moshuar që nuk plotëson vitet e punës dhe kushtet për pensionin e plotë, mund të marrë pension minimal, ose ndryshe pension social. Në disa raste kushtet për ta përfituar këtë pension kanë ndryshuar.

“Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social”,- thuhet në manualin e Intitutit të Sigurimeve Shoqërore.

Masa e përfitimit
Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014; b) Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi.

Rregullat
Përfituesi duhet të paraqesë një herë në vit deklaratën për gjendjen social- ekonomike;

b) Pensioni social tërhiqet nga përfituesi çdo muaj;

c) Pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se nuk tërhiqet, në qendrat e përcaktuara të pagesës;

d) Pensioni social mbyllet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit;

e) Pensioni social nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi është për kurim në spital.

Kushtet e përfitimit: Mosha 70 vjeç. Qëndrimi i përhershëm në Shqipëri, të paktën për 5 vitet e fundit. Nuk plotësohen kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme. Nuk ka të ardhura ose janë më të pakta se një pension social.

Dokumentet
Dokumentacioni: Fotokopje e Kartës së identitetit. Certifikatë familjare. Deklaratë për gjendjen social-ekonomike. Vërtetim nga zyra e gjëndjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha që paraqet kërkesën.

Vërtetim nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike. Certifikatë pronësie dhe/ose akti i marrjes në pronësi/në përdorim të tokës.

Vërtetim për ndihmën ekonomike. Deklaratë nëse je aksionar apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike/ pasuri të patundshme, që nxjerr të ardhura.