Tre persona, mes tyre një shqiptar, janë arrestuar në Itali, nën akuzën se kanë përdhunuar dy vajza të mitura. Ndërsa një i katër është në kërkim. Në pranga janë vënë një shqiptar, një italian dhe një maroken.

Sipas raportimeve të mediave lokale referuar kallëzimit të dy adoleshenteve italiane, mësohet se dhunua seksuale është konsumuar natën mes 8 dhe 9 gushtit në Menaggio, zonë në liqenin e Komos.

Pikërisht në Menaggio, agresorët punonin gjatë sezonit turistik, ndërsa dy vajzat 17 vjeçe, shoqe me njëra-tjetrën, kishin shkuar me pushime.

Adoleshentet janë njohur me 4 agresorët pasi kanë pranuar që këta të fundit ti shoqëronin me makinë në një lokal në zonë, ku italiani punonte si banakier. Pasi kanë konsumuar pije alkoolike dhe kërcyer, 4 të akuzuarit i shoqëruan vajzat në një plazh, rreth 3 km nga Menaggio.

Pikërisht aty, sipas denoncimit të vajzave, ka ndodhur dhuna seksuale. Kanë qenë vetë 17-vjeçaret që kanë bërë kallëzim në polici.

Të hënën, pritet të zhvillohet masa e sigurisë për 3 të arrestuarit.