Rezistenca ndaj antibiotikëve është një fenomen global për shëndetin publik, vështirëson trajtimin e sëmundjeve kryesisht ngjitëse si dhe ka kosto për pacientët.

Përdorimi pa kriter i tyre, marrja në farmaci pa recetën e mjekëve, janë dy arsyet kryesore që sot kanë ndikuar në shtimin e rasteve kur antibiotikët shkaktojnë rezistencë.

Mjeku infeksionist, Gentian Stroni, e vë theksin në rolin e mjekëve të kujdesit parësor për një përdorim sa më të të drejtë të antibiotikëve.

Gentian Stroni: Nga përdorimi pa kriter ne kemi një rritje të vazhdueshme të rezistencës së mikroorganizmave ndaj antibiotikëve.

Që do të thotë me kalimin e kohës kushdo që merr një antibiotik në mënyrë jo adekuate, që do të thotë e merr sot dhe e lë nesër,

e merr sot pa recetën e mjekut dhe fatkeqësisht kjo ndodh në Shqipëri, duke marrë jo të përshtashmin, mikroorganizma të ndryshëm arrijnë të krijojnë imunitet ndaj këtyre antibiotikëve.

Rezistenca ndaj antibiotikëve manifestohet me kosto financiare, trajtim për shtimin e medikamenteve të tjera si dhe qëndrim më të gjatë në spital.

Gentian Stroni: Rritja e rezistencës antimikrobike do të jetë një kosto e shtuar në xhepin e këtyre pacientëve sepse nesër, pasnesër në një sëmundje të dytë ata nuk do të kenë mundësi të përdorin të njëjtin antibiotikë me kosto të lirë.

Pas një periudhe kohore ata do të duhet të shpenzojnë shumë më shumë për sëmundje që mund të jetë rutinë.

Studimet tregojnë se rezistenca ndaj antibiotikëve është problem serioz në Europë dhe Botë, duke shënuar dyfishim në nivelin global gjatë 5 viteve të fundit.

Çdo vit në Bashkimin Evropian vdesin afër 25.000 njerëz nga infeksionet e shkaktuara me baktere rezistente ndaj antibiotikëve.