Nishani mbledh Sigurinë,Peleshi: Në janar strategji kundër drogës. Mbledhja zgjati më shumë se 3 orë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka mbledhur sot për më shumë se tre orë Këshillin e Sigurisë, lidhur me situatën e kanabisit në vend. Rreth orës 18:05 janë parë të futen në Presidencë të gjithë përgjegjësit e institucioneve, përveç kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në SHBA. Vendin e Ramës në Këshillin e Sigurisë e zuri zv/kryeministri Niko Peleshi. Pjesë e kësaj mbledhjeje ishte edhe kryeparlamentari Ilir Meta. Në përfundim të mbledhjes, zv/kryeministri Niko Peleshi theksoi se puna e deritanishme e policisë i ka dhënë rezultatet e saj, gjë që u vlerësua edhe nga Komisioni Europian në raportin për Shqipërinë, në bazë të të cilit rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Peleshi bëri të ditur se në janar do të ketë një strategji kundër drogës. Burime nga Presidenca bënë të ditur se krahas Nishanit, në Këshill raportoi edhe Ministri i Brendshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, ai i Policisë së Shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm. Presidenti kërkoi të dinte nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që sollën këtë situatë me kultivimin e narkotikëve dhe si do të luftohet ky fenomen. Në Këshillin e Sigurisë ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtëm, ai i Financave dhe ministri i Transporteve. Presidenti Nishani nuk e ftoi kreun e opozitës Lulzim Basha, ndryshe nga nëntori i kaluar kur e thirri Këshillin e Sigurisë në kuadër të sulmeve terroriste. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se Basha nuk është ftuar sot, pasi këtë herë objekt i Këshillit është specifik, ndërsa herën e parë objekti ishte më i gjerë. Kryeministri Rama u nis mesditën e së enjtes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në 11 nëntor nga galeria njujorkeze “Mariana Goodman e cila do të ekspozojë pikturat e tij. Gjatë intervistës së tij për Report tv të mërkurën në eventin e organizuar nga Ambasada Amerikane në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, presidenti Bujar Nishani pohoi se nuk ishte venë në dijeni për mungesën e Ramës. “Nuk kam informacion që nuk do të jetë kryetari i qeverisë. Këshilli është organi më i lartë këshillimor përsa i takon çështjeve të sigurisë, besoj që siguria kombëtare është çështje më madhore për cdo qytetar shqiptar, posaçërisht për përfaqësuesit e institucioneve. Ne mblidhemi për t’u këshilluar për të diskutuar dhe për të parë qasjen dhe angazhimin për një problem serioz për të cilin kanë përgjegjësi të gjithë aktorët për t’u angazhuar” deklaroi Nishani.

Artikulli paraprakEKSTRADOHET NGA GJERMANIA DESHMITARI I VRASJES SE HAJDARIT
Artikulli tjetërPLUMB NË KOKË PARUKIERES, FLET AUTORI: JA PSE E VRAVA ETLEVËN