Në 26 tetor është programuar zhvillimi i El clasicos mes Barcelonës dhe Realit të Madridit për kampionatin spanjoll në Camp Nou, por tensionet e shfaqura në Katalonjë pas vendimit të gjykatës Supreme spanjolle për dënimin e politikanëve katalanas ka ndezur sirenat e alarmit te La Liga.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle ‘El Pais’, drejtuesit e Ligës Spanjolle të Futbollit po mendojnë që të ndryshojë vendin e zhvillimit të kësaj supersfide.

Ideja e La Ligas është që të evitohen situatat që mund të kompromentojnë sigurinë e El Clasicos në Camp Nou kështu që u ka propozuar klubeve që të pranojnë ndryshimin e fushave për të luajtur El Clasicon e ‘Santiago Bernabeut’ pikërisht në 26 tetor, ndërkohë që në kalendarin fillestar sfida e Madridit ishte parashikuar të luhej në 1 mars të 2020.

Nëse Barcelona dhe Reali i Madridit do të pranojnë këtë opsion, atëherë gjithçka do të mbetet në duart e Federatës Spanjolle të Futbollit, pasi i takon këtij institucioni që të marrë vendimin në lidhje me këtë çështje që mund të ndodhë në ditët e ardhshme pasi Federata të ketë marrë në dorëzim edhe dokumentat argumentues si të Barcelonës ashtu edhe të Realit të Madridit për ndërrimin e fushës për ‘El Clasico’.