Arrestohet në Fier, shefi i stacionit policor të Patosit, Flamur Veliu. Veliu ishte përfshirë në një aksident mbrëmjen e djeshme, pasi drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Është arrestuar mbrëmjen e djeshme shefi i stacionit të Patosit, Flamur Veliu. Veliu është përfshirë në një aksident dhe ka përplasur disa makina në zonën e quajtur “Mulliri i artë” në aksin Fier-Lushnje.  Shefi i Komisariatit është arrestuar pasi po drejtonte makinën në gjendje të dehur. Arrestimi është bërë nga SHCBA, dhe në testin e alkoolit ka rezultuar se Veliu ka qenë i dehur.

Në njoftimin e policisë, thuhet se nga aksidenti ka patur vetëm dëme matteriale, ndërkohë që hetimet për ngjarjen i kanë kaluar prokurorisë së Fierit.

Njoftimi i policisë

Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Flamur Veliu, 60 vjeç, banues në Lushnje, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Patos.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në aksin rrugor Fier – Lushnje në vëndin e quajtur “Mulliri i artë” Fier, është përfshirë në një aksident automobilistik me dëme materiale dhe pas verifikmit me aparat alokool-test ka rezultuar se drejtonte mjetin “Fiat Stilo” në gjendje te dehur.

Materialet hetimore lidhur me këtë ngjarje ndaj shtetasit Flamur Veliu, do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.