Takimi në Bruksel mes delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, dhe atij të BE-së,

të udhëhequr nga Federica Mogherini, u shenjua nga tensione, gjë që u dëshmua qartë edhe me vendimin e të dyja palëve për të anuluar konferencën e përbashkët për shtyp, që shefi i ekzekutivit kosovar dhe kryediplomatja europiane duhej të mbanin në fund të tij.

Përplasjet kanë qenë për dy çështjet më të nxehta të momentit: ajo e vizave dhe taksës së vendosur ndaj produkteve serbe.

Haradinaj foli për neglizhencë të BE-së dhe mungesë të qartë të perspektivës europiane të vendit, por pavarësisht kësaj, “Kosova – u shpreh ai, – mbetet e vendosur për anëtarësimin në bllokun europian, të cilin e konsideron në vazhdimësi një prioritet të saj”.

“Megjithëse Kosova i zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigjja që marrim nga BE-ja është gjysmake dhe e pashpresë”, citohet të ketë pohuar shefi i ekzekutivit në Prishtinë, i cili e tha hapur se kosovarët po sprovohen përtej asaj që është e arsyeshme dhe e drejtë.

Haradinaj u tregua mjaft i ashpër për vonesën e liberalizimit të vizave, megjithatë ka kërkuar që dialogu me Serbinë të vazhdojë, duke i mëshuar idesë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rol më të madh në këtë proces.

Përmes dialogut, sipas Haradinaj mund të zgjidhet edhe çështja e tarifës 100 për qind mbi prodhimet serbe, “por nuk ka kohë – u shpreh ai, – për zgjidhje të pjesshme të problemeve, përfshirë edhe ato të taksës”.

Artikulli paraprakKOMITETI I HELSINKIT: VETTINGU, ME DEFEKTE. RASTE TË STANDARDEVE TË DYFISHTA
Artikulli tjetërI KËRKUAR NË ITALI PËR SHITJE DROGE, ARRESTOHET 29-VJEÇARI SHQIPTAR