Dekreti i sotëm i presidentit Ilir Meta për të zgjedhur anëtare në Gjykatën Kushtetuese Marsida Xhaferllarin, teksa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e kishte zgjedhur automatikisht për të njëjtën vakancaë Arta Vorpsin, duket se nuk është një përplasje e re mes kreut të shtetit dhe KED-së.

Në një konferencë për mediat në mbrëmje, Presidenti Ilir Meta, i sapokhtyer nga Franca, paraqitir publikisht argumentet e këtij dekreti, ku la të kuptohet se problemet me institucionin e KED-së kanë qenë të hershme, veçse këto shqetësime nuk i ka bërë publike.

Me një gjuhë të ashpër ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke i vënë etiketime deri në mafioz, Meta tha se nuk ka asnjë afat kushtetues ndaj presidentit për të përzgjedhur anëtar në mesin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, që KED i ka radhitur sipas një pikëzimi.

Meta i kërkoi kohë KED-së pas zgjedhjes së anëtarit të parë, Besnik Muçit, në mënyrë që radha për anëtarin e dytë t’i kalonte Parlamentit. Por KED duke thënë se kaloi afati ligjor 30 ditor që Presidenti duhej të kishte zgjedhur anëtarin e tyre, zgjodhi automatikisht Arta Vorpsin në Kushtetuese e cila ishte e radhitur e para në sistemin e pikëzimit. Meta tha se afatet ligjore janë të caktuara vetëm për Parlamentin, por jo për Presidentin.

Kreu i shtetit tha se duhej ndjekur një radhë që një anëtar të zgjidhej prej tij, një prej Parlamentit, dhe më tej tjetri nga Meta, dhe i dyti sërish nga Kuvendi, për ta çuar në total në 4 numrin e anëtarëve të zgjedhur në këtë fazë. Këtë, Meta tha se e bëri për t’i dhënë mundësi Kuvendit që të ishte brenda afateve ligjore, 30 ditore, deri në zgjedhjen e anëtarit të dytë në mesin e kandidatëve. “Por ata i bënë të dyja njëherazi, kjo është përgjegjësi e tyre”, tha Meta

‘Unë jam shumë korrekt se Kushtetuta thotë se vakancën e plotëson Presidenti, të dytën parlamenti dhe të tretën gjykata e lartë dhe kështu përsëritet. Radhitja nuk është rastësi është për ruajtur balancat si krijohet gjykata Kushtetuese. Është e shprehur qartë se presidenti të bëjë dy emërime të njëpasnjëshme.

Marrim rastin e gjykatës së Lartë, që është situatë specifike, që presidenti nuk ka përgjegjësi dhe të tjerët e kanë deklaruar se do të zhvillohet në një moment të dytë. Tani kemi katër vanakca dhe duhet të ruajtur ekuilibri mes institucioneve. KED ka bërë një proces janë pothuajse të njëjtët emra në listën e presidentit dhe parlamentit. Pra është e qartë, presidenti plotëson vakanën e parë dhe parlamenti të dytën, kjo logjikë do të ndiqej më pas, cdo gjë tjetër është një marrëzi e qartë për cdo njeri që ka dëshirë të lexojë kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese është vendosur kusht nga e gjithë Europa, por sipas Kushtetutës dhe jo lojërave që bëhen për kapjen e gjykatës që janë mjaft evidente. Ditën e hënë u detyrova të bëj një postim që i kam thënë Kuvendit që përmbushni përgjegjësinë tuaj se unë e kam bërë time.

Ju plotësoni tuajën dhe unë brenda 24 orëve do të plotësoj tjetrën që t’i jepja mundësi Kuvendit brenda afatit kushtetues të plotësonte vakancën e dytë. Ata vepruan ndryshe, kjo është përgjegjësi e tyre dhe jo e imja dhe unë jam i detyruar që të ndërmarr përgjegjësitë e mia” tha ai.

Artikulli paraprakMETA PER KRYETARIN E KED-SË: MAFIOZ! SJELLJE TË TURPSHME PËRBALLË PRESIDENTIT
Artikulli tjetërDY SHQIPTARËT KAPEN ME 2 KG HEROINË