“Dilema që duhet ndarë.”- nën këtë titull ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka zgjedhur të reagojë në një postim të gjatë në facebook, lidhur me raportin e komisionit të Venecias për Presidentin Ilir Meta.

Për Manjanin Ilir Meta, para së gjithash, duhet të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë, Presidentin e Republikës (politikanin pensionist) apo opozitarin ndaj qeverisë.

“Ndërkohë, Jam i bindur se tani, pikërisht tani Edi Rama e do më shumë Ilir Metën President sesa opozitar.” shkruan ndër të tjera Manjani.

Postimi i Plotë:

Dilema që duhet ndarë.
Për mendimin tim Ilir Meta, para së gjithash, duhet të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë, Presidentin e Republikës (politikanin pensionist) apo opozitarin ndaj qeverisë.

Kjo është dilema themelore që Ai duhet ta zgjidhë me veten e vet.

Të dyja nuk bëhen sepse nuk bën dot asnjërën siç duhet.

Kam patur idenë (ndoshta i vetmi) që 2 e më shumë vite më parë se Ilir Meta nuk duhej të humbte kohë të çmuar në zyrën e Presidentit. E kam thënë hapur këtë gjë.

Sot, nuk është Venecia arsyeja përse duhet të largohet nga Presidenca, siç propogandojnë çakejt mediatikë të Rilindjes. Venezia, të paktën sipas projekt raportit që doli para afatit, nuk sugjeron shkarkimin e Presidentit. “Tejkalimi i kompetencave kur ska ligj dhe arsye të mëdha natyrore”, nuk është shkelje që çon në shkarkim. Kjo është e qartë kristal.

Nuk është as “fjala e thënë” te portali i Çimit, që të gjithë qeveritarët e çakejt e tyre bëjnë sikur se shohin, por e paskan parë dhe konspektuar atë intervistë.

Presidentit të Republikës nuk i njohin e as i botojnë një dekret. Kjo është arësye shumë më e fortë sesa 100 raporte nga Venecia. Sipas meje, kjo është arsye që Ilir Meta të dalë nga pensionimi i parakohshëm i vetvetes dhe të vihet përballë sunduesve politikë.

Ilir Meta përballë sunduesve ka më shumë kuptim sesa në krye të shtetit që ata sundojnë. Një President sado i guximshëm nuk e ndalon dot sundimin politik të shtetit që ata e kanë sot në dorë. Është shteti i tyre, fund e krye. Me kët shtet ata rrëmbejnë prona, burgosin kundërshtarë, dhunojnë qytetarë, shesin pasurinë publike, fusin në borxh të përjetshëm njerëzit, prishin trashëgiminë e historinë e këtij vendi etj etj…

Ilir Meta jo vetëm nuk e ndalon dot këtë shtet, por so s’do identifikohet me të.
Sundimtarët kujdesen që ta shesin si “të tyrin” sa herë ju duhet. E mbani mend Edi Ramën kur thoshte, “Ilir Meta është President korrekt me detyrën”? Deri 24 orë para anulimit të zgjedhjeve kështu thoshte. Pastaj ndryshoi loja…

E pastaj na doli që kishin ngrënë dhe darka, e pastaj konspiracioni nën punën e vet, e pastaj…… Ska fund kjo histori.

Megjithatë, dilema President e në pension politik apo në Politikë dhe përballë Ramës, është e gjitha për t’u zgjidhur nga Ilir Meta. Nga askush tjetër!

Deri atëhere, llogjika e do që secili sheh punët e veta. Se nuk legjitimon votimet moniste Venecia, o të marrë!

Votimet ua dhjeu populli shqiptar dhe ODIHR. Dhe për shkak të ODIHR edhe çdo kancelari në Perëndim.

Ndërkohë, Jam i bindur se tani, pikërisht tani Edi Rama e do më shumë Ilir Metën President sesa opozitar.

Të shohim, por vendi ka nevojë për parlament pluralist, jo për debate koti si ky….