Një pilot ka ulur me sukses aeroplanin me pasagjerë edhe pse rrota e përparme nuk u hap për shkak të një defekti teknik. Aeroplani i “Myanmar National Airlines” u ul në pistën e aeroportit dhe asnjë nga 89 pasagjerët nuk u lëndua.

Kapiteni i avionit bëri dy rrotullime në ajër përreth aeroportit duke provuar disa herë që të ulte rrotat e aeroplanit por pa sukses, para se të merrte vendimin për ta ulur në pistë. Ai përdori procedurat e përcaktuara në raste emergjente dhe harxhoi karburantin e tepërt me qëllim që të reduktonte peshën e avionit.

Me profesionalizëm, piloti uli me sukses avionin me dy rrotat e pasme përpara se hunda e aeroplanit të prekte në tokë. Për rreth 25 sekonda, avioni rrëshqiti në pistë para se të ndalonte. “Piloti bëri një punë të mirë”, tha ministri i Transporteve në Mianmar.