Një efektiv i policisë private në Fier është bërë protagonist i një plagosje me armë zjarri aksidentalisht.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë kur Adriatik Mehmeti, 58-vjeç, banues në Fier, gjatë dorëzimit të shërbimit në ambientet e një Shoqërie Private te Sigurisë Fizike, ka shkrepur gabimisht armën e shërbimit duke plagosur në këmbë kolegun e tij 32-vjeç, me iniciale E. M.

Sipas burimeve policore, 58 vjeçari ishte kthyer nga shërbimi në një prej institucioneve që kjo kompani ruante dhe teksa ka bërë çarmatimin dhe po dorëzonte detyrën, arma ka bërë qitje të pavullnetshme.

I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin e Fierit, nga ku raportohet se kishte marrë plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

I plagosur nuk ka bërë kallëzim ndaj autorit, ndërsa ky i fundit do të procedohet në gjendje të lirë.

PUBLICITET