Eshte zbardhur deshmia e 18-vjeçarit Daniel Drobaj, i cili u arrestua dje me akuzën e plagosjes së efektives së “Shqiponjave” Ina Nuka, pasi gjatë protestës para Kuvendit në drejtim të saj hodhi kapsollën që i hoqi dy gishtat (lexo këtu).

Daniel Drobaj u mor në pyetje menjëherë pas arrestimit duke pranuar se ka hedhur kapsolla gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re para Kuvendit. Ai ka deklaruar se ka hedhur tre kapsolla në drejtim të llamarinave, por nuk ka pasur qëllim të dëmtojë policët.

Unë kam hedhur tre kapsolla në drejtim të llamarinave. Nuk kam pasur qëllim të dëmtoja policët

18-vjeçari u ‘kap’ nga kamerat së bashku me disa persona të tjerë duke hedhur kapsolla në protestën e para dy ditëve para Kuvendit. Ai rrezikon 3-5 vite burg, por detajet mbi akuzat

pritet që të mësohen nesër nga kërkesa që prokuroria do i dërgojë gjykatës mbi kërkesën për masën e sigurisë për të riun. Daniel Drobaj pas protestës u ndalua pranë “Ushtarit të Panjohur” nga disa policë.

Por në ndihmë të tij mbërritën të afërm, përfshirë edhe të atin, protestues dhe deputetë të LSI si Luan Rama, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi duke ia hequr policisë nga duart Drobajn, ndërsa nuk munguan as aktet e dhunës në drejtim të efektivëve të uniformave blu, të cilët goditen nga protestuesit e tjerë.

Pas disa minutash tensioni policia vendosi mos ta shoqërojë 18-vjeçarin, por arratia e 18-vjeçarit zgjati vetëm 24 orë, pasi u prangos pasditen e djeshme në rrugën “Babë Rexha”, pranë “Pallatit me Shigjeta” në kryeqytet.

Në ngarkim të 18-vjeçarit janë referuar materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”,

“Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”. Ndërkohë që nesër para gjykatës së bashku me Daniel Drobajn do të dalin edhe protestuesit e tjerë që janë arrestuar për të cilët prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’.

Nga protesta u plagosën 15 efektivë, mes tyre efektivja Ina Nuka, ndërsa u shoqëruan 25 persona, nga të cilët 6 u mbajtën në burg dhe nesër prokuroria do të kërkojë masën ‘arrest me burg’.

Protestuesit për të cilët prokuroria do të kërkojë arrest me burg janë; Fluturim Goleci, Ruzhdi Daci, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Amarildo Sinanaj dhe Shpati Bilbilaj.

Ata akuzohen për; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.