Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur plagosjen e ndodhur një ditë më parë në lagjen “Mark Lula” ku mbeti i plagosur shtetasi Vat Shpati 38 vjeç. Efektivët kanë vënë në pranga si autor të kësaj plagosje shtetasi Sokol Pali, 36 vjeç banues në Shkodër dhe dy vëllezërit Aleks Martini 28 vjeç dhe Pjeter Martini 29 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”.

Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se plagosja erdhi pas një konflikti të çastit dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin tre të arrestuarit kanë plagosur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin Vat Shpati 38 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve. Tre autorët e dyshuar për këtë plagosje të ndodhur akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të 12 gushtit në lagjen “Mark Lula” kur 38 vjeçari mbeti i plagosur me thikë nga dy vëllezërit Martini dhe një i tretë. Menjëherë i plagosuri u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës duke qenë se kishte marrë plagë të rënda. Policia shpalli në kërkim autorët dhe pas disa orësh u bë i mundur arrestimi i tyre. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se i plagosuri dhe dy autorët e shpallur në kërkim kanë qenë bashkë në të njëjtin lokal duke ndenjur jo shumë larg nga vendi ku ndodhi plagosja.

Pas një debati mes tyre shtetasi Vat Shpati është çuar për të dalë por dy vëllezërit Aleks dhe Pjetër Martini dhe shtetasi tjetër Sokol Pali disa metra më tutje teksa ka qenë duke ecur në këmbë e kanë ndjekur duke e goditur me thikë në bark dhe duke e lënë të plagosur. Menjëherë pas plagosjes në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës duke bërë të mundur transportimin e të 38 vjeçarit drejt urgjencës.

Fillimisht shtetasi Vat Shpati është plagosur rëndë dhe menjëherë është futur në sallën e operacionit duke qëndruar për disa orë në reanimacion. Pas operacionit gjendja e tij duket më e stabilizuar por mjekët thonë se duhet ende kohë për të arritur një gjendje optimale shëndetësore.

Pas plagosjes në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë të cilët pas hetimeve paraprake dhe informacioneve të marra në rrugë operative kanë mësuar se autorët e plagosjes janë tre shtetasit Aleks dhe Pjetër Martini dhe Sokol Pali. I plagosuri është vëllai i Pëllumb Shpatit, oficer i hetimit të vrasjeve në policinë vendore të Shkodrës por plagosja nuk ka lidhje me punën e vëllait të shtetasit të plagosur. Sipas burimeve ka qenë një sherr çasti në lokal mes Vat Shpatit dhe tre autorëve të arrestuar nga policia.

Artikulli paraprakSHKODËR, DHUROHEN 42 PAKO PËR FAMILJET NË NEVOJË
Artikulli tjetërARMANDO GJINI MUND TË JETË VRARË NGA VRASËS ME PAGESË