Policët e 11 majit që u përballën me shashkat dhe bombat molotov në protestën e opozitës do shperblehen me nje page mujore.

Kjo sipas urdherit te drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu drejtuar Drejtorisë së Policisë së Tiranës, i cili mban datën 12 maj, një ditë pas protestës.

Në urdhër u kërkohet drejtorit të departamentit për Krimet e Rënda, drejtorit të departamentit për sigurinë publike dhe atij të drejtorisë që të përgatisin listat e të gjithë uniformave blu që kanë qenë me shërbim në protestën e opozitës, pasi do të shpërblehen me një rrogë plus.

“Drejtorit të departamentit për Krimet e Rënda, drejtorit të departamentit për sigurinë publike dhe drejtorit te personelit të Drejtorisë Tiranë. Të përgatisni listat për punonjësit e policisë që kanë qenë me shërbim në protestën e ditës së shtunë dhe të shpërblehen me një pagë”, shkruhet në urdhrin e Veliut.

Protesta e 11 majit u përmbyll pas mesnate me sulmin me bomba molotv, fishekzjarrë e sende të forta ndaj 4 institucioneve, Kryeministrisë, Kryesisë së Kuvendit, Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë.

Ajo zgjati për plot 7 orë. Forcat e policisë u rrezikuan pasi bombat molotov hidheshin në drejtim të tyre që ruanin sigurinë e kryeministrisë në kordonin e parë. 14 efektivë mbetën të plagosur dhe dy protestues.