Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka ka dalë sot në një deklaratë për media, ku bëri të ditur se nga 21 tetori janë arrestuar 36 persona.

Gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në Territor në kuadrin e operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve”, nga strukturat vendore të Policisë, janë kryer kontrolle për personat me precedentë kriminal aktiv, personat në kërkim dhe personat si prishës sistematik të rendit publik.

Brenda kësaj jave janë arrestuar 36 persona vetëm në kuadrin e këtij operacioni në kontrollet pro aktive në territor, persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’, për armëmbajtje pa leje; në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Sipas tij, në kuadër të operacionit policor të koduar “Menaxheri” në Durrës u godit një rast i trafikut të lëndëve narkotike të forta, ku u sekuestruan 2 kilogramë kokainë dhe u vunë në pranga dy persona.

Ndërsa në Shkodër, po sipas Lokës, u finalizua operacioni “Tamara”, ku u godit një grup kriminal në fushën e narkotikëve, të cilëve iu sekuestruan 80 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 6 persona.

Loka bëri të ditur se edhe në Qafë Botë është ndërmarrë një operacion i përbashkët me Drejtorinë e Doganave, ku u sekuestruan rreth 145 mijë Paund britanik.

“Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore, banesa, lokale etj. janë sekuestruar 6 armë zjarri të llojeve të ndryshme, 2 kilogramë kokainë, 161 kilogramë kanabis dhe automjete të ndryshme”, deklaroi ai.

Gjovalin Loka ritheksoi se kapja dhe vënia para përgjegjësisë ligjore të personave që tentojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit është me shumë rëndësi për Policinë e Shtetit, pasi sipas tij nuk ka të fortë përballë autoritetit të ligjit.