Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka ka bërë publike rezultatet e javës që lamë pas në kuadër të operacionit ‘Ndëshkimi i të fortëve’, i nisur që prej 20 shtatorit.

Përmes një deklarate për mediat, Loka u shpreh se gjatë javës së kaluar në të gjithë vendin janë arrestuar 54 persona për vepra të ndryshme penale si dhe janë sekuestruar lëndë narkotike e armë.

Ja deklarata e plotë e tij:
Siç është bërë me dije, që nga mesi i muajit shtator e në vazhdim, Policia e Shtetit ka nisur një Operacion të gjerë policor për parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndëshkimin e autorëve të veprave penale, dhe kontrollin e plotë të territorit, përmes operacionit të koduar “Ndëshkimi i të fortëve”.

Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale në DPPSH, FNSH, e posaçërisht forcat “RENEA” janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e detyrave të përcaktuara në këtë Plan operacion policor.

Sot jam këtu për të prezantuar rezultatet më të rëndësishme konkrete të javës që lamë pas. Brenda kësaj jave janë arrestuar 54 persona, të identifikuar me precedentë kriminalë apo si prishës të rendit, të konsideruar si “Të fortë’, arrestimi i tyre është bërë për armëmbajtje pa leje apo se janë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Konkretisht:
– 12 persona të arrestuar, me precedentë penalë;
– 19 persona të shpallur në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar;
– 18 të arrestuar, si prishës të rendit.
– 5 të arrestuar për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë javës që lamë pas në akset rrugore, banesa, lokale janë sekuestruar:
– 8 armë zjarri;
– rreth 3.6 kg Kokainë e Heroinë;
– rreth 110 kg Cannabis.

Kështu dje në Kurbin, në vijim të Forcës së Ligjit në Territor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin “Gjorm” ku si rezultat është sekuestruar 96 kg Cannabis dhe është prangosur poseduesi i saj, Agron Tafaj, 46 vjeç.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Morinë kanë bërë ndalimin e një shtetasi kosovar nga Istogu të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, Austri. Ai është Skënder Dekaj, 61 vjeç, banues në Istog, Kosovë.

Gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në Territor në kuadrin e operacionit policor “Ndëshkimi i të fortëve” nga strukturat vendore të Policisë, që prej datës 20 Shtator kur kanë nisur kontrollet, në total janë arrestuar rreth 390 persona në kontrollet proaktive në territor:

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre në akset rrugore, banesa, lokale etj., janë sekuestruar 57 armë zjarri të llojeve të ndryshme, mina me telekomandë, tritol e municion luftarak.

“Forca e Ligjit në Territor” përmes operacionit policor “Ndëshkimi i të fortëve” nuk do të ndalet këtu, por do të vijojë ditë pas dite, javë pas jave, duke ndëshkuar ashpër me autoritetin dhe forcën e ligjit çdo individ që tenton apo shkelë ligjin, guxon të sfidojë autoritetin e shtetit dhe jetesën normale të qytetarëve, rendin e qetësinë publike.

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve të kontribuojnë për rritjen e parametrave të sigurisë, mbrojtjen e rendit, e qetësinë publike, respektimin e ligjit nga të gjithë, për vendosjen e autoritetit të shtetit. Kjo duke njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit për çdo incident apo problematikë tjetër që mund të konstatojnë, përmes telefonatave në numrat falas 112 e 129.