Fenomeni i kultivimit të kanabisit nëpër shtëpi është shtuar ndjeshëm edhe në Australi. Të martën, autoritetet atje arrestuan pesë persona të cilët ishin pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar krimi.

Gjithashtu nëpër këto ferma kultivimi të kanabisit në Sydney, ata sekuestruan më shumë se 2.200 rrënjë kanabis, vlera e të cilave në treg do të sillte një përfitim prej 6.2 milionë dollarë australian.

Policia në një deklaratë tregoi se shumica e fermave të kanabisit drejtohen nga grupet kriminale shqiptare dhe vietnameze. Ata, sipas policisë, i përdorin paratë që përfitojnë nga këto shtëpi për të financuar të tjera biznese të jashtëligjshme siç është trafikimi i metamfetaminës, heroinës dhe kokainës.

Përveç kultivimit të drogës, mediat australiane shkruajnë se bandat përdorin dokumente false në mënyrë që të marrin me qira shtëpitë, ku do të shtrihet i gjithë aktiviteti ilegal.

“Mos harroni, ky është krim i organizuar. Ata që përfshihen duan vetëm të përfitojnë pavarësisht gjithçkaje. Ne duam të shkatërrojmë çdo aspekt të veprimit të tyre, jo vetëm duke u prishur infrastrukturën, por edhe t’i largojmë kriminelët nga rrugët. Shtëpitë me kanabis janë potencial për të vënë shtëpitë e tjera dhe njerëzit që i rrethojnë në rrezik”, tha inspektori Stuart Bell.

Gjithashtu Bell tha për mediat se publiku mund të sinjalizojë policinë kur ka raste të tilla. Gjeneratorët që punojnë gjatë gjithë kohës, sasi të mëdha mbeturinash si dhe mbetje përdorimit të kimikateve janë një tregues i mirë që po kultivohet kanabis.