Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kane nisur sot patrullimet e përbashkëta. Në një ceremoni simbolike patrullimet kanë filluar në pikën kufitare mes dy shteteve, në Vërmicë.

Me këtë rast, drejtorët e policisë rrugore të të dyja shteteve, ai nga Kosova nënkoloneli, Sabedin Mehmeti dhe ai nga Shqipëria, Mitat Tola kanë thënë se këto patrullime që janë rezultat i suksesit të tre viteve paraprake sipas memorandumit të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Sot po vazhdojmë në fakt me radhën e bashkëpunimit me vitin tjetër të bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Policisë shqiptare.

Ne vlerësojmë se kjo periudhë e bashkëpunimit ka qenë e suksesshme deri më tani, kjo është edhe arsyeja pse po vazhdojmë me këtë bashkëpunim.

Ky është viti i tetë në fakt, 7 vite më parë ka filluar ky bashkëpunim e ky është viti i tetë që ne po e fillojmë sot dhe do të përfundojmë më 31 gusht.

Do të ketë patrullime të përbashkëta, do të ketë pika të kontrollit të përbashkëta, do të ketë aktivitet parandalues të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe asaj shqiptare dhe ne do të vazhdojmë me turnin e radhës, ky është turni i parë.”- ka thënë Mehmeti

Ndërkaq homologu i tij nga Shqipëria, Mitat Tola pati edhe një porosi për gjithë ata që ia zgjedhin bregdetin shqiptar.

Sezoni turistik ka filluar, mjaft qytetarë të Kosovës dhe drejtues mjetesh vijnë në Shqipëri, në plazhet tona, në zonat bregdetare dhe atëherë është krejt normale që një pjesë e punonjësve të policisë rrugore të Kosovës të patrullojnë me ne.

Kjo me qëllim për të garantuar më shumë siguri për drejtuesit e automjeteve të Kosovës e për t’u dhënë atyre që ata kontrollohen nga policët rrugor shqiptarë dhe kolegët policë rrugor të Kosovës.

Është viti i tetë që ky patrullim ka vazhduar është efikas dhe ka dhënë rezultate. Rezultatet janë në parandalimin e aksidenteve rrugore. Ajo që do të kërkoja unë si drejtor i Policisë rrugore është respektimi i normave të sjelljes.

Synimi ynë është që të shkojmë në plazh e të kthehemi shëndoshë, pra kujdes me rripin e sigurimit, kujdes në mos përdorimin e alkoolit, kujdes me parakalimet e mos tejkalimin e shpejtësisë.

Ne jemi aty jo për të ndëshkuar normalisht, për të parandaluar e për të dhënë ndihmë, për të këshilluar e për të ndihmuar në lehtësimin e fluksit të trafikut, pra ç’ka ka detyra policia rrugore ne do t’i kryejmë më së miri.

Kërkojmë nga qytetarët e të dyja vendeve, të Shqipërisë e qoftë Kosovës më shumë përgjegjësi në trafik me qëllim që pushimet më të vërtetë të jenë të gëzuara.

Drejtorët kanë treguar se aktualisht në patrulla të përbashkëta po marrin pjesë tre ekipe me punonjës të integruar të Policisë rrugore nga dy vendet.

Patrullimet janë paraparë që të mos jenë të veçuara por të integruar që do të thotë një polic rrugor i Kosovës do të patrullojë me një policë rrugor shqiptar dhe kjo e shtrinë gjeografinë e kontrollit…më shumë besim, më shumë kontrolle dhe më shumë efikasitet”, ka thënë ai.

Ky është viti i tetë i bashkëpunimit Kosovë e Shqipëri në patrullimet e përbashkëta policore gjatë sezonit së verës.

Artikulli paraprakINIESTA KOKËULUR PAS ELIMINIMIT, NJOFTON LARGIMIN NGA KOMBËTARJA
Artikulli tjetërS’LEJOHET MË PËRDORIMI I QESEVE PLASTIKE, JA GJOBA NËSE SHKELNI VENDIMIN