Ne sezonin veror numri i aksidenteve rrugore shtohet ndjeshëm. Duke nisur nga qershori, muaj kur edhe nis sezoni turistik, bilanci i aksidenteve që përgjakin rrugët shqiptare bëhet tragjik.

Dhe aksidentet me pasoja fatale nuk kanë munguar as javët e fundit në Shkodër. Shkakun policia e shikon te shkelja e rregullave të qarkullimit nga shoferët, por edhe nga këmbësorët.

Kryesore është humbja e vëmendjes për shkak të telefonit. Burime nga policia vendore e Shkodrës i thanë Star Plus se në 4 ditë janë marrë masa administrative duke vendosur 650 gjoba.

Ky është një numër tejet i lartë kur mendon se në kaq pak ditë numri i gjobave është i konsiderueshëm.

Shumë drejtues mjetesh përdorin celularin edhe kur janë në timon, madje në rrugë të ngarkuara me trafik, pavarësisht masave të ashpra disiplinore të parashikuiara për këtë vepër në kodin rrugor.

Të dhënat zyrtare të qarkullimit rrugor tregojnë për rënie të grupit të kundravajtjeve që kanë të bëjnë me mos vendosjen e kaskes, apo, mos vënien e rripit të sigurimit si dhe parakalimet e gabuara.

Sjellja e këmbësorëve, që janë kategoria më e prekshme e pjesëmarrësve në trafik, është gjithashtu shqetësuese.