Informacioni zyrtar i Policisë së Shtetit për arrestimin e Arben Ndokës

Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhrin e arrestit për shtetasin Arben Ndoka, 46 vjeç, nga Lezha, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”.

Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.

Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.

Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim.

Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.

Operacioni “Hipoteka”, dje u arrestuan tre persona në Lezhë
Dje “Forca e Ligjit” finalizoi operacionin e koduar “Hipoteka” në Kurbin ku në pranga ranë ish-punonjës të Hipotekës si dhe qytetarë përfitues të një sipërfaqeje toke prej 6.8 ha, e përfituar me dokumente të falsifikuara. Numri i të proceduarve në total është 11 persona.

Ata akuzohen për falsifikime dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke tjetërsuar një sipërfaqe toke prej 68120 m2. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan certifikata të ndryshme pronësie, Akte të marrjes së tokës në pronësi, certifikata të ndryshme familjare, plane rilevimi, harta treguese për Rrethin e Kurbinit.

Sipas policisë, këto hetime proaktive, janë kryer në funksion të procedimit penal regjistruar në vitin 2017, për veprat penale tё “Shpërdorimit të detyrës” “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “ Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 248-25-186/2 dhe 287/a/c të Kodit Penal.

Mbi bazën e provave të grumbulluara dhe sekuestruara nga Seksioni për hetimin e krimit ekonomik, Komisariati I Policisë Kurbin dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 10 Tetor 2018, vendosi masat e sigurisë më konkretisht:

Të arrestuar me masë sigurie “Arrest me burg”:
1. Arben Sela, 50 vjeç, banues në Kurbin, përfitues toke, për veprat penale “Fallsifikim i dokumentave ‘ kryer në bashkëpunim” , parashikuar nga nenet 186/3 – 25 të Kodit Penal.

2. Ndue Gega , 55 vjeç, banues në Lezhë, me funksion hartograf pranë Z.V.R.P.P. Kurbin, per veprën penale “Shpërdorim detyre ‘kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal.

3. Bashkim Lika, 51 vjeç, banues në Kurbin, me funksion Kryetar Fshati në Fushë Mamurras, për veprën penale “Fallsifikim i dokumentave’ kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 186/3 -25 i Kodit Penal.

Të shpallur në kërkim me masë sigurie “Arrest me burg”:
1. K.P. 46 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Shpërdorim detyre ‘ kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 248 -25 i Kodit Penal.

2. H.A. 54 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës’ kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal.

Me masë sigurie “Arrest shtëpie”:
1. Gj.L. 76 vjeç, banues në Kurbin, me funksion ish – Kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në Mamurras, për veprën penale “Fallsifikim i dokumentave’ kryer në bashkëpunim” ” Shpërdorim detyre” “Pastrim i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 186/3, 248-25 dhe 287/1/a/c të Kodit Penal.

2. O.M. 69 vjeç, banues në Kurbin, me funksion ish – Përgjegjës i Zyrës së Bujqësisë në Bashkinë Mamurras, për veprën penale “Fallsifikim i dokumentave’ kryer në bashkëpunim” ” Shpërdorim detyre” ” Pastrim i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 186/3, 248-25 dhe 287/1/a/c të Kodit Penal.

Gjithashtu , janë referuar materialet për proçedim në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve:
1. M.A. , Z.K., B.K. dhe G.SH., të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre ” dhe ” Fallsifikim dokumentash” , si përfitues toke dhe punonjës me detyrë shtetërore.

Punohet për kapjen e personave në kërkim, si dhe vazhdojnë hetimet për dokumentimin ligjor të personave të tjerë të implikuar.