Në këtë fillim të vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit bën të ditur se ka marrë një sërë masash, për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë rrugore për nxënësit që kanë shkollat buzë rrugëve apo që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Strukturat vendore të Policisë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për Patrullat e Përgjithshme, Policinë kriminale, Policinë Rrugore dhe për ndihmësspecialistët e zonave, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e Policisë me shërbim pranë shkollave, por edhe duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Në të gjitha shkollat e vendit dhe përreth ambienteve të tyre ka prezencë të shtuar të Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo përreth tyre.

Nga punonjësit e Policisë është vendosur bashkëpunimi me institucione të ndryshme për: Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave; Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve;

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë.

Specialistët për krimet dhe ndihmësspecialistët e policimit në komunitet, do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë në këto institucione. Policia e Shtetit siguron nxënësit dhe prindërit,

Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato të shkollave, se do të jetë e gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla dhe të monitorimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19. Policia e Shtetit uron nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor dhe fton cilindo që të denoncojë çdo shkelje apo paligjshmëri në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital.