Merr fund mjerimi i kafshëve në “Safari Park”, të cilësuar nga mediat britanike si Parku i Ferrit.

Sot, inspektorët e mjedisit kanë shkuar pranë këtij parku për të bërë transferimin e tre luanëve dhe 10 kafshëve të tjera që mbaheshin në kushte të papërshtatshme, mes tyre edhe zebra e kaproj.

Që në fillim të operacionit, inspektorët janë ndeshur me rezistencën e pronarëve të parkut, të cilët kishin mbyllur me dryn parkun dhe nuk lejuan zbatimin e urdhrit për transferimin e kafshëve nga Fieri drejt Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Është dashur ndërhyrja e policisë dhe Prokurorit të Fierit, për respektim procedure, që inspektorët të bëjnë më pas edhe ndërhyrjen me forcë duke prerë zinxhirët që mbyllnin dyert e për të liruar kafshët që mbaheshin në kafaz.

Avokati i “Safari Park”, Elvis Sulejmani, u shpreh për mediat se ata i kanë plotësuar të gjitha kushtet që u kërkuan dhe se kanë afat deri nëser për plotësimin e dokumentacionit.

Në datën 17 të këtij muaji është paraqitur një grup inspektimi, pas një lajmi të dalë nga mediet e huaja dhe portalet. Ka ardhur grupi i punës, ka mbajtur një proces-verbal dhe është vendosur që aktiviteti do të mbyllej. Ligji për faunën e egër dhe ligji për inspektimin e parashtron shumë qartë sesi duhet të veprohet.

Prej 15 vitesh Safari vepron në kushte ligjore. Kushtet kanë qenë: Të paraqiten analizat e kafshëve, të zbatohen rregullat e ligjit për inspektim dhe të paraqiten kartelat mjekësore. Afati për të mbushur këto detyra fillon në 18, 8 ditë janë 8 ditë efektive pune.

Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat tona. Ka dalë informacioni që ne kemi mbushur detyrat, dhe inspektoriati vjen në një ditë pushim. Për shkaqe familjare pronari ndodhet në Vlorë, s’është i hapur aktiviteti sot. Si mund të futen dhe të marrin kafshët? Administratori s’është. Unë flas me fakte. Nga e hëna deri në orën 20:00, Safari Park Zoo, do të jetë i hapur për vizitorët.

Pas afro 2 orësh rezistencë dhe me shtimin e forcave të policisë, inspektorët kanë arritur të futen në ambientet e parkut dhe të vijojnë normalisht me procesin e transferimit të kafshëve.

Transferimi i tyre është bërë brenda standardeve të parashikuara, pasi veterinerët e kontraktuar apostafat për këtë punë u kanë injetkuar luanëve dhe kafshëve agresive ilaçin për t’i vendosur në gjumë e më pas për të vijuar me zhvendosjen e tyre.

Procesi i nxjerrjes së kafshëve nga kafazi dhe zhvendosja e tyre u bë e mundur edhe me bashkëpunimin e Fondacionit “4Putrat” dhe Agjencia e Zonave te Mbrojtura, që kishin mjetet e domosdoshme për të realizuar këtë transferim.

Të gjitha kafshët, përfshi edhe luanin e vrarë në sy u vendosën në kopshtin zoologjik në Tiranë, deri në miratimin e vendimit për destinacionit të tyre përfundimtar në një park në vendet e Bashkimit Evropian.

Inspektorët e Mjedisit, të shoqëruar nga Forcat e Policisë, Inspektorë të Drejtorisë Pyjore në Fier, si edhe specialistë nga Tirana, kanë mundur të hyjnë brenda kopështit zoologjik në Fier, Safari Park Zoo.

Ata kanë prerë me pinca telat e portës hyrëse në kopësht, pasi pronarët e këtij kopështi nuk ndodhen atje, dhe s’kanë lejuar që transferimi i kafshëve të bëhet rregullisht.