Policia holandeze ka nisur një aksion të gjerë ndaj bandave shqiptare të kultivimit dhe trafikut të drogës në zonat e Limburg dhe Geleen, në bashkëpunim dhe me policinë gjermane dhe belge.

Në një deklaratë nga policia e qytetit Limburg theksohet se hetimi ka treguar se kryesisht njerëz me prejardhje shqiptare janë të përfshirë në këtë kultivim të lëndës narkotike.

Gjatë aksionit janë kryer kontrolle në dhjetëra banesa ku kishte dyshime se kultivohej drogë në ambiente të mbyllura, ndërsa në pranga kanë rënë 4 persona.

Tre nga të dyshuarit që janë arrestuar jetojnë në Belgjikë. Ata janë dy burra 40-vjeçarë me prejardhje marokene dhe një grua 36-vjeçare, të cilët u arrestuan në Gjermani, ndërsa i dyshuari i katërt është një 34 vjeçar shqiptar, që u ndalua në Geleen.

Zbulimi i grupit që merrej me rritjen e kanabisit u bë pasi një agjent i fshehtë ra në kontakt me shqiptarin, i cili dyshohet se drejtonte bandën.

Sipas mediave holandeze një kompani në Groenstraat në Geleen, u ka paguar qiranë shqiptarëve. Pikërisht kjo kompani dyshohet se bën edhe transportin e parave nga Holanda drejt Gjermanisë ose Belgjikës, pasi kishte qendra në këto shtete.

Gjatë aksionit janë angazhuar mbi 100 efektive të policisë në disa komuna të vendit. Hetimet për këtë rast kanë nisur në vitin 2018 pas verifikimeve lidhur me një kompanie në tregtinë e automjeteve, me aktivitet në dy qytete të Holandës dhe me degë në Gjermani dhe Belgjikë.

Aktivitetet e biznesit ishin tregtia dhe marrja me qira e automjeteve, transporti i udhëtarëve, rezervimi i udhëtimeve dhe shërbimet financiare, por dyshohet se burimet financiare të saj kanë qenë të ardhurat e paligjshme nga droga me prejardhje shqiptare.