Me arsyetimin se tubimi cenon sigurinë kombëtare dhe jetën e deputetëve, Policia e Tiranës i ka refuzuar lejen partisë demokratike për protestën që pritet të mbahet ditën e martë para kuvendit të Shqipërisë.

Me anë të një letre të firmosur nga Drejtori Kastriot Skenderaj, policia argumenton se mos dhënia e lejes për tubimin e paralajmëruar nga opozita ka të bëjë me shkeljet e konstatuara gjatë protestës së 26 shkurtit,

ndërsa fton opozitën që të protestojë paqësisht në një tjetër hapësirë,dhe në rast të shkeljes së vendimit të saj, organizatorët do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
Policia: Nisur nga shkeljet e konstatuara gjatë protestës së 26 shkurtit, konkretisht, dhuna e përdorur ndaj deputetëve, dhuna ndaj punonjësve të policisë, goditja me shkopinj,

lëndë piroteknike dhe gurë, thirrjet e organizatorëve me përmbajtje dhune, vazhdimi i shkeljeve edhe pas thirrjeve të policisë, rrezikohet siguria kombëtare dhe publike, vendoset ndalimi për zhvillimin e tubimit.

Nga ana tjetër, me anë të një letre korrespondence me policinë, Partia demokratike akuzon blutë se po shkelin kushtetutën dhe në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar oficerët e policisë.

Partia demokratike argumenton se policia ka ndërhyrë me altoparlant për ndalimin e dhunës, në një kohë që nuk po ushtrohej dhunë, dhe pavarësisht pretendimeve të policisë protesta do të zhvillohet dhe pa lejen e tyre, pasi parashikohet nga kushtetuta.

Opozita ka marrë vendim që ditët kur do të mbahet seancë plenare në kuvend, do të protestohet, ndërsa kanë paralajmëruar një tjetër protestë me datë 16 mars.

Arsyetimi i policisë:
Dhuna e përdorur ndaj deputetëve
Dhuna ndaj punonjësve të policisë
Goditja me shkopinj, lëndë piroteknike dhe gurë

Thirrjet e organizatorëve me përmbajtje dhune
Vazhdimi i shkeljeve edhe pas thirrjeve të policisë
Rrezikohet siguria kombëtare dhe publike

Argumentet e PD-së:
Me 26 shkurt nuk ka patur asnjë akt dhune
Policia ka ndërhyrë me altoparlant pa shkak
Asnjë deputet nuk është dhunuar apo goditur
Asnjë efektiv policie nuk është dhunuar apo goditur
S’ka patur thirrje të organizatorëve për dhunë apo sulm.