ASGJESOHEN 3 PARCELA NË SHLLLAK DHE TEMAL. Policia e Shkodrës ka rënë sërish në gjurmët e bimëve narkotike të mbjella në zona të ndryshme të Qarkut Shkodër. Në operacionin e radhës efektivët e Shkodrës arritën që të evidentojnë 3 parcela të mbjella me bimë narkotike canabis sattiva. Kështu komunikata për shtyp e policisë bën me dije se janë asgjesuar 464 rrënjë bimë narkotike.

Në komunikatën për shtyp thuhet se nga puna e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të operacioneve antikanabis, për gjetjen dhe asgjesimin e bimëve narkotike të mbjella, u ushtrua kontroll territori me disa grupe pune, ku u konstatuan dy raste të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht: Në fshatin Barcollë, në komunën Shllak, ku janë gjetur dhe asgjesuar: 2 parcela me gjithsej 354 rrenjë bimë narkotike Canabis Sattiva. Po ashtu sipas policisë në fshatin Vilë, në komunën Temal, në vendin e quajtur « Tokat e Pukës », janë gjetur e asgjesuar: 1 parcelë me 110 rrënjë Canabis Sattiva. Policia bën të ditur se për të dy rastet: Bimët narkotike janë asgjesuar me anë të djegies, ku një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës materiale. Uniformat blu po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre parcelave. Tashmë operacionet anti kanabis nga ana e policisë po kthehen në një rutinë të përditshme teksa çdo ditë asgjesohen dhe evidentohen parcela të ndryshme. Problematike vijojnë të mbeten zonat e thella malore por edhe fshatra të mbi-Shkodrës që rezultojnë të mbjella me canabis. Një shqetësim vijojnë të jenë autorët që nuk identifikohen duke qenë se parcelat janë në toka pa pronar.

PUBLICITET