Tre grupe efektivësh të Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës kanë zhvilluar kontrolle në banesat e fshatit Lazarat.

Mësohet se në një prej tyre, përkatësisht në banesën e Amarildo Alikos, janë gjetur dhe sekuestruar tre armë automatike model 56 ( kallash), një granatë, një pushkë 20-ëshe e mijëra fishekë.

Burime bëjnë me dije se aksioni i ndërmarrë nga policia e Gjirokastrës kishte qëllim goditjen dhe evidentimin e lëndëve narkotike, por edhe gjetjen e armëve e municioneve.

Aksioni blic i ndërmarrë nga blutë e Gjirokastrës ka nisur në orën 5 të mëngjesit të sotëm dhe është në vijim, ku po kontrollohen me radhë banesat. Mësohet se ai do të shtrihet në të gjitha zonat e qarkut.