Festës së Kurban Bajramit, I janë bashkuar edhe politikanët shqiptarë ku nuk kanë munguar mesazhet e urimit dhe reflektimit drejtuar besimtarëve myslimanë shqiptarë por jo vetëm.

Kreu i shtetit Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin, ndërsa i ka dërguar një tjetër mesazh politikës që të ngrihet mbi interesat personale dhe të ulet në dialog për të mirën e kombit dhe shoqërisë.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!

Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur për të uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit me fotot e xhamisë së Pazarit në Gjirokastër që është rikonstruktuar.
“Me këto pamje të punës së bukur për nxjerrjen në dritë të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, gëzuar Kurban Bajramin” shkruan Rama.

Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. “Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë myslimanë, ju uroj nga zemra Gëzuar Festën e Sakrificës, këtë kremtim të shenjtë të fuqisë së besimit tek Krijuesi. Zoti ju faltë mirësi, mbarësi dhe shëndet ju dhe familjeve tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët kudo ku janë!” shkruan Basha.

Artikulli paraprakKURBAN BAJRAMI, SPAHIU: TË SHTËRNGOHEN DUART E MIQËSISË
Artikulli tjetërFESTA E KURBAN BAJRAMIT NËPËR BOTË