Kujtim Plangaj eshte një nga fermerët e zonës se Postribes. Vitin e kaluar Kujtimi mbolli më shumë se 3 dynym qepë në Postribë, ndërsa prodhimi është rekord si asnjë herë më parë.

Për fat të keq, si pasojë e mungesës së tregut, mezi arriti të nxjerr shpenzimet e mbjelljes dhe punës së punëtorëve. Pavarësisht magazinimit përgjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit arriti t’i shiste me një çmim qesharak.

Një vit më vonë iu rikthye edhe njëherë të njëjtës punë. Këtë sezon prodhimi nuk është i bollshëm për shkak të dëmeve që sollën shirat e rënë përgjatë muajve të pranverës më shumë nga sa parashikonin fermerët.

Kujtim Plangaj shpreson që këtë prodhim ta shesë përgjatë muajve të verës, përndryshe ka frikë se mund të dështojë si një vit më parë.

Edhe pse merret prej vitesh me qepët, askush nuk është afruar për t’i ardhur në ndihmë. Ndërhyrja e shtetit ka qenë inekzistente.

Kujtim Plangaj ka ndërtuar një magazinë për strehimin e qepës, ndërsa kjo nuk mund të jetë zgjidhje pasi me kalimin e kohës qepët bien nga pesha, duke e përkthyer këtë si një humbje. Vijon të shpresojë që për këtë vit nuk do të dështojë.

Pjesa më e madhe e fermerëve të Njësisë Administrative Postribë merren me bujqësi. Pavarësisht kësaj është një ndër zonat më të varfëra të Shkodrës.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, AFTËSITË E PUNËKËRKUESVE TË ULËTA
Artikulli tjetër“DALJA NË SHOSH”, AKTIVITET PËR PROMOVIMIN E VLERAVE