Vllaznia do të luajë ndeshjen e saj të rradhës të dielën në orën 20.45 në stadiumin “Loro Boriçi” ku do të ketë përballë ekipin e Kukësit. Në kampin kuqeblu, pavarësisht forcës së kundërshtarit, ka besim se mund t’ia dalin të marrin një rezultat pozitiv. Një gjë e tillë është shprehur edhe në intervistën e dhënë nga trajneri Hysen Dedja për faqen zyrtare të klubit në prag të këtij takimi.

– Profesor, cila është gjendja e skuadrës një ditë para sfidës me Kukësin?

Jam shumë i kenaqur nga mënyra e përkushtimit në seancat stervitore, gjë që e kanë shprehur edhe në dy takimet e fundit, pavarësisht rezultatit në Korçë.

Dhe po me këtë objektiv stërvitemi e me të njëjtën psikologji do të futemi në fushë, me synimin e vetëm që ne të marrim rezultat pozitiv. Kuptohet që nuk jemi duke menduar fare se në çfarë vendi jemi në tabelën e klasifikimit. Pra, them se gjendja e ekipit në prag të ndeshjes me Kukësin, është e mirë.

– A do të ketë mungesa për këtë ndeshje?

Po, do të kemi sërish mungesa. Këtë herë nuk do të kem të gatshëm Gurishtën që është me kartona dhe po ashtu edhe Malotën që është i pezulluar nga Disiplina. Nga ana tjetër, nuk do të jetë i gatshëm as Hygor që nuk është stërvitur me skuadrën këto ditë, si dhe dihet që mungon edhe Gligorov që është larguar para tre javësh. Këtyre mungesave u shtohet edhe ajo e Ramadanit që siç dihet është i dëmtuar dhe prej kohësh mungon në stërvitje me ekipin.

– Kukësi është ende në objektivat për titullin kampion dhe do të kërkojë fitoren në Shkodër. Do të kërkojë edhe Vllaznia të njëjtën gjë?

Po, të njëjtën gjë do kërkojmë edhe ne nga ana jonë, fitoren e këtij takimi. Kjo sepse objektivat tona per momentin janë më të mëdha se ato të Kukësit.

– Edhe tre javë nga fundi, sa shanse ka Vllaznia për t’iu shkëputur vendit të tetë?

Përderisa matematika na mban në lojë, ne do luftojmë deri në fund për t’iu shkëputur atij vendi.

-A ka besim edhe tek futbollistët për këtë gjë?

Patjeter që kanë besim, përderisa janë aq të përkushtuar siç e thashë edhe më lart dhe duke shikuar dy takimet e fundit kam shumë besim se do ia dalim.
© vllaznia.al