Vllaznia, stafi dhe lojtarët mund të marrin frymë lirisht. Prefekti i qarkut Shkodër Paulin Radovani ka firmosur vendimin e këshillit bashkiak për rialokimin e fondeve çka do të thotë transformim i një shumë prej 19.3 milion lekësh nga programi i investimeve publike tek ai i sportit dhe konkretisht për llogari të klubit të futbollit Vllaznia.

Duke qenë se nuk kishte më kohë dhe e premtja ishte afati i fundit për veprimet që bën dega e thesarit për këtë vit ekzistonte një frikë se prefekti Radovani nuk do firmoste nisur nuk deklaratat e tij të mëparshme se nuk është dakord që t’i ndryshohet destinacioni fondeve duke lënë investimet e parashikuara pa i financuar. Pavarësisht deklaratave të tij të mëparshme prefekti në mëngjesin e së premtes firmën e parë e ka hedhur tek projekt-vendimi për kalimin e parave tek klubi i futbollit Vllaznia. Kuqeblutë kanë tre muaj pa u paguar dhe të gjithë sy e veshë ishin nga zyra e prefektit nëse do firmoste apo jo duke qenë se nëse kalonte dita e sotme si afat i fundit për veprimet në thesar atëherë ai fond digjej. Përtej qëndrimeve dhe kritikave të tij të herë pas hershme për Vllazninë prefekti vendosi që të firmosë edhe kësaj herë mbase duke mbyllur sy e veshë më qëllimin që futbollistët të mos qëndrojnë më pa marrë pagat sepse ata janë më të pafajshmit në këtë mes. Do douhen vetëm pak ditë sapo thesari të kalojë paratë në llogarinë e klubit e më pas në llogarinë individuale të secilit prej futbollistëve dhe pjestarëve të stafit. Pas kalimit të kësaj situate të vështirë dhe kapërcimit të problematikave e shkeljeve të ligjit për lojtarët është hapur drita jeshile dhe brenda pak ditëve do të marrin paratë që u takojnë duke bërë që në fushën e lojës të kenë më shumë motiv dhe të lënë pas ankesat dhe gjendjen e vështirë të deritanishme.