Rreth dy vite pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysa (në foto). Ngjarja ka ndodhur me 6 maj 2017, ku Hysës iu bë atentat me armë zjarri.

Operacioni policor i koduar “Gruda” vuri në pranga shtetasin V.K, 23 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula”, Shkodër.

“Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim” mbetur në tentative, dhe “Prodhimi e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” thotë policia.

Uniformat blu kanë arrestuar gjithashtu edhe vëllezërit N. K., 32 vjeç dhe K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re për veprat penale të “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Këta dy shtetas kishin strehuar në banesën e tyre shtetasin në kërkim V. K dhe dyshohet se me datë 14.04.2019 kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit L. A., 50 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të metejshme.

Artikulli paraprakU KAP ME RRETH 1 MLN PAUND KOKAINË, 12 VITE BURG PËR SHQIPTARIN PASTAJ DEPORTIM
Artikulli tjetërARDIAN DAJTI, DREJTORI I RI I SPITALIT TE SHKODRES