Banorët e fshatit Prekal, pjesë e njësisë administrative Postribë prej 1 vitit vuajnë nga mungesa e një ure lidhëse me qendrën e kësaj njësie.

Rreth 15 familje në faqen e malit ngjitur me qendrën e Prekalit kanë mbetur pothuajse të izoluara nga shembja e një ure teli në të cilën ata kalonin deri para një viti. Kryeplaku i Prekalit, Marash Pjetra shprehet se gjendja po përkeqësohet për ato 15 familje ndërsa kërkohet ndërtimi i asaj ure.

 

Gjatë stinës së dimrit, me rritjen e nivelit të lumit Kir, asnjë nga banorët nuk e ka të mundur të dalë nga shtëpia për të shkuar në punë, në rast të një emergjence apo nxënësit të cilët nuk shkojnë në shkollë.

 

Në muajt e pranverës dhe verës 15 familjeve të cilëve u është shembur ura u duhet të kalojnë përmes bregut të lumit për tu lidhur me qendrën e njësisë ndërsa kanë shumë vështirësi në 6 muajt e tjerë kur nisin reshjet e shiut dhe të borës.

Pavarësisht ankesave të bëra disa herë nga banorët e zonës, ndërtimi i kësaj ure jo më e gjatë se 50 metër nuk është realizuar, duke i lënë të izoluara këto 15 familje në pothuajse gjysmën e vitit.

 

 

 

PUBLICITET