Në moshën 95-vjeçare ish-senatori Bob Dole ka qenë i pranishëm në homazhet në Selinë e Kongresit amerikan, për të nderuar presidentin e ndjerë George H.W. Bush, i ndarë nga jeta orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë.

Edhe pse mbërriti aty me një karrocë me rrota, Dole ngrihet i ndihmuar nga dy shoqërues dhe qëndroi përpara arkivolit të mikut dhe dikur rivalit të tij, duke i bërë të gjitha nderimet si një veteran i Luftës së Dytë Botërore pavarësisht nga vështirësitë shëndetësore dhe ato fizike.

Bush dhe Dole u ndeshën për herë të parë me njëri-tjetrin në garën brenda republikanëve për zgjedhjet presidenciale në vitin 1988. George H.W. Bush fitoi, ndërsa Bob Dole qëndroi në Senat.

Më pas, të dy krijuan një marrëdhënie të ngushtë pune. Bush dhe Dole, para se të anëtarësoheshin në Partinë Republikane dhe të përfshiheshin në politikë, kishin marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore.

Dole ishte gjymtuar në njërin krah gjatë një beteje në Itali. Kurse Bush, ish-pilot, është veterani i fundit që ka qenë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

George Herbert Walker Bush u nda nga jeta në Teksas në moshën 94-vjeçare. Ai lindi më 12 qershor 1924. Bush shpesh njihej si “George H W Bush”, “Bush 41”, “Bush Plaku”, apo “George Bush Sr.” për ta dalluar atë nga djali i tij, ish-presidenti George W. Bush.

Ai ka qenë drejtor i CIA-s, i dërguar i SHBA në Pekin, kongresmen republikan, nënpresident dhe më pas President nga viti 1989 deri në 1993, vetëm në një mandat, pasi e humbi garën për mandatin e dytë kundër ish-Presidentit Bill Clinton. George H.W. Bush pasoi në Shtëpinë e Bardhë Ronald Reagan.