Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar në limitin e kohës propozimin e kryeministrit Edi Rama për Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Kjo ishte hera e dytë që emri i Lleshajt qëndronte në tavolinën e Metës për dekretim, pasi herën e parë e refuzoi.

Sonte në mesnatë ishte afati i fundit që kreu i shtetit duhet të shprehej për propozimin, pasi plotësoheshin 7 ditët që kishte në dispozicion, bazuar në Kushtetutë. Tashmë i preferuari i kryeministrit Rama do të jetë edhe zyrtarisht në krye të Ministrisë së Brendshme, pas votimit në Kuvend dhe betimit në Presidencë.

Dekretimi u paralajmërua në mesditë, pasi Presidenti pranoi dorëheqjen e gjeneral Sandër Lleshajt si ushtarak aktiv. Statusi i ushtarakut aktiv të Lleshajt ishte edhe pengesa kushtetuese për mosdekretimin e emrit të tij si ministër nga Presidenti Ilir Meta.

Vetë kreu i shtetit e pati konsideruar si problematikë themelore kushtetuese propozimin për Lleshajn për shkak të statusit të ushtarakut aktiv. Ndërsa pas ç’dekretimit si ushtarak aktiv e firmosi emërimin e dekretit si ministër i Brendshëm.