Presidenti i Panamasë, Juan Carlos Varela, riafirmoi angazhimin e vendit të tij për transparencën e taksave, pasi Qeveritë në të gjithë botën nisën hetimet për mashtrimet e mundshme financiare nga njerëz të pasur dhe të fuqishëm, pas zbulimit të dokumenteve sekrete nga kompania Monsak Fonseka.

“Panama Papers” zbuloi marrëveshjet financiare të politikanëve dhe figurave publike që kishin bërë me firmën juridike panameze, mes tyre njerëz të afërt të Presidentit rus, Vladimir Putin, të afërm të kryeministrit britanik David Cameron, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe figura të larta në Islandë e Pakistan. Duke folur në Colon, Varela tha se ky zbulim ka forcuar vendosmërinë e Qeverisë së tij për të rritur transparencën në sistemin financiar të Panamasë. “Ne jemi aleatë me të gjitha vendet që luftojnë për transparencë në sistemin financiar të vendit dhe jo vetëm këtu, por në çdo vend të botës. Mirëpresim çdo publikim ose hetim i cili mbron sistemet financiare panameze dhe globale”, tha ai. Monsak Fonseka mohoi çdo akuzë dhe e quajti veten viktimë të një fushate kundër privatësisë. Në një deklaratë të postuar në faqen e saj të hënën tha se raportet e medias kishin “keqinterpretuar natyrën e punës së saj”. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, me bazë në Paris, e cila ka bërë thirrje gjithmonë për më shumë transparencë për taksat, më herët pati deklaruar se Panamaja duhet të sistemojë shtëpinë e saj. OECD tha se kishte paralajmëruar Ministrat e Financave të G20 para megaskandalit se Panamaja nuk përmbushte detyrimet e saj për të shkëmbyer informacion mbi llogaritë me Qeveritë e tjera.