Një reagim i ashpër vjen nga presidenti Ilir Meta, pas vendimit të PS-së për të miratuar paketën anti-shpifje, e cila u rrëzua nga Komisioni i Venecias. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i shtetit është solidarizuar me shqetësimin e organizatave të gazetarëve për riaktivizimin e këtij ligji që kthen censurën. Meta pohon se ka dyshime të forta që ligji synon të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike, ndërsa shtoi se pa liri të mediave nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndër të tjera Meta bëri thirrje që “Qeveria dhe Kuvendi njëpartiak të tërhiqet nga modeli i neveritshëm Lukashenko. Ja se çfarë thotë Presidenti në statusin e tij:

“Sipas përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve: “Autoritete të larta të shumicës në qeveri kanë urdhëruar që ky ligj duhet bërë shpejt. Kjo duket qartë që është kopje e së njëjtës përpjekje flagrante e qeverisë për të goditur mediat. Dyshimet janë shumë të forta që ligji ka vetëm një qëllim brenda vetes: të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike”. Risjell në vëmendje se këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me: Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit; Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit; Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim; Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut; Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut. I bëj thirrje të fortë Qeverisë dhe Kuvendit njëpartiak të tërhiqet nga MODELI I NEVERITSHËM LUKASHENKO për censurën në media dhe të mos vijojë në errësirë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh qartazi me Kushtetutën dhe Opinionin e Komisionit të Venecias. Liria dhe pavarësia e medias është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian dhe pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim. Garantoj se do të jem përherë në krah të gazetarëve të pavarur e kurajozë për të mos lejuar kurrë instalimin e MODELIT TË NEVERITSHËM LUKASHENKO në Shqipëri”.