Presidenti dekoron 38 martirët: Ndjesë për krimet e komunizmi

Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar 38 martirët e Kishës Katolike që u lumturuan nga Vatikani, ndërsa në emër të shtetit shqiptar ka kërkuar falje për krimet e komunizmit. Nishani u shpreh se duhet të ndahemi nga dogmat totalitare, ndërsa u kërkoi falje familjarëve të viktimave të sistemit komunist për krimet që u kryen. “Me shumë përulësi u kërkoj falje të sinqertë në emër të shtetit, familjarëve dhe pasardhëseve të viktimave të diktaturës komuniste. I kërkoj falje Kishës Katolike shqiptare dhe kujtdo tjetër që u prek deri në palcë, që u vra pafajësisht, që u përndoq deri në tre breza dhe u internua padrejtësisht” deklaroi Nishani. Fjala e plotë e Presidentit Nishani “Gjithë jetën jetuan dhe ushtruan vokacionin brenda formulës ‘atdhe dhe fe’ , qëndruan heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i dënonte me vdekje. Mund të themi se ishin klerikë dhe intelektualë, mendimtarë të këtij vendi në të gjitha ngjarjet e rëndësishme nga Rilindja kombëtare, te konsolidimi i shtetit pas 1912 etj. Krijuan modelin e qëndresës dhe përballjes kundër tiranisë që i kishte shpallur luftë edhe Zotit. Papa Francesku, i shpalli të lumë duke i bërë pjesë të historisë së përbotshme. Duke na ftuar edhe ne të ndahemi nga dogmat totalitare, ata nuk kanë nevojë për asgjë, ndërgjegjja jona ka nevojë që të kërkojë falje, të identifikohet me ta, ka nevojë ti nderojë ata, t’u rrëfejë fëmijëve për ata. Pranimi i krimeve të regjimit komunist dhe kërkesa për falje drejtuar familjarëve të viktimave na ndihmon të gjithëve të ecim përpara pa pasur frikë nga fantazmat e të kaluarës. Me shumë përulësi kërkoj falje të sinqertë në emër të shtetit familjarëve dhe pasardhëseve të viktimave të diktaturës komuniste. I kërkoj falje Kishës Katolike shqiptare dhe kujtdo tjetër që u prek deri në palcë, që u vra pafajësisht, që u përndoq deri në tre breza dhe u internua padrejtësisht. Shteti shqiptar u kërkon përulësisht ndjesë.Nishani: Propozoj sonte që Parlamenti shqiptar të hartojë një ligj të posaçëm për Gjykatën Speciale, duke ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë për të iniciuar procesin e vonuar dhe të domosdoshëm të rigjykimit me kërkesë të dhënies së pafajësisë, duke nga këta 38 martirë si një masë e domosdoshme, si dallimi esencial të lirisë nga tirania, si reflektim i shoqërisë mbi të mirën dhe të keqen , si ndarjen e saj me të kaluarën duke shëruar plagët e saj, deklaroi Nishani.

Artikulli paraprakPROBLEMET E RRUGEVE NGA PERMBYTJET,DERVISHAJ:SITUATE PROBLEMATIKE NE VERI
Artikulli tjetërMINISTRIA E ARSIMIT:NESER RINIS MESIMI NE TE GJITHA SHKOLLAT E VENDIT