Në Komisionin e Ekonomisë ditën e sotme u diskutua tema mbi projektligjin e paketës fiskale.

Gjatë prezantimit të projektligjit, Blerina Gjylameti dhe kreu i Komisionit Erion Braçe kërkuan rishikimin e fashës për të ardhurat nga puna, veçanërisht ndryshim taksimi për ata që kanë një rrogë 300-400 mijë lekë të vjetra.

Ministri i Financave gjithashtu i pranishëm në mbledhje ka dalë kundër kësaj kërkese duke shkaktuar debate mes tij dhe Braçes.

Debati mes Braçes dhe Ahmetajt:

Braçe: Në këtë vend 300-400 mijë lekë kanë punonjësit e thjeshtë që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. Të ardhurat e vetme janë nga puna. Nëse ka ardhur e keqja, nuk na ka ardhur nga të ardhurat nga puna. Jo, na ka ardhur nga tatimi mbi fitimin.

Ahmetaj: Jo, vjen nga papërgjegjshëmria fiskale.

Braçe: Është mendimi im modest. E gjithë bota po adreson çështjen e pabarazisë.

Ahmetaj: E para, papërgjegjshmëria fiksale sjell borxhin ashtu siç e kemi parë edhe në qeverisjen e Saliut. Pastaj është koeficienti Gini e mat pabarazinë, nuk e masim as unë dhe as ti. Unë do të qëndroj kundër ekspandimit jo racional fiskal.

Braçe: Po tani ju thoni ata që kanë 2-3 shtëpi do t’i shtojnë. Ata që bëjnë 12 muaj pushime, do të bëjnë më shumë.

Ahmetaj: Ky është muhabet koti.

Braçe: Merreni mbrapsht. Ky është projektligji juaj jo i imi. Nëse është muhabet koti atëherë merreni mbrapsht. Nuk është i imi.

Ahmetaj: Patjetër dhe mbaj përgjegjësi për të.

Në mbledhje u diskutua dhe ulja e devidentit nga 15%, ministri Ahmetaj propozon 8 %.