Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të martë gjatë aktivitetit të prezantimit të projekt buxhetit të vitit 2019 për shëndetësinë se, 17.864 mjekë e infermierë do kenë sërish rritje page nga tre mujori i dytë i vitit të ardhshëm.

Ka ndryshuar në dy drejtime pagat e mjekëve dhe infermierëve, nga rritja e pagës dhe ulja e taksave. Përsëri ne do rrisim pagën për infermierët e mjekët. Janë 17.864 punonjës që do kenë një rritje page prej 7 për qind nga tremujori i dytë i vitit të ardhshëm.

Një rritje e konsiderueshme besoj që përmbush objektivin tonë për pagën e infermierëve dhe që rrit edhe shpërblimin e mjekëve.

Rama premtoi më tej se do të ketë edhe rritje të buxhetit për rimbursimin e barnave dhe investimet nëpër spitalet e vendit.

“Kemi kaluar në 100 milionë dollarë barna të rimbursueshme, ndërsa për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë barna. Pesë vite më parë ishte thuaje 30 milionë dollarë më pak”, u shpreh ai, duke shtuar se do të investohet konkretisht brenda këtij viti në 80 qendra spitalore dhe në 100 të tjera në vitin e ardhshëm.

“Janë në plan 5 maternitete të reja si ai i Sarandës, që është një model kuptimplotë i shëndetësisë që duam. Do financohet në Berat e Korçë me buxhetin e këtij viti e më pas në Lezhë, Mat dhe Kukës”, vijoi Rama.

Artikulli paraprakTË RINJTË SHQIPTARË KAPEN ME KOKAINË TË FSHEHUR NË VEZË
Artikulli tjetërRAMA: SHPJEGIM TË PLOTË NË PARLAMENT PËR PRISHJEN E BANESAVE TEK UNAZA E RE