FITON 3-1 NDAJ ATLETICO, MESSI AKUZON MEDIAT. Barcelona mundi 3-1 në Camp Nou kampionët e Atletico Madrid.  Ky 3 pikësh risjell qetësinë e shumëkërkuar në skuadrën katalanase e cila tashmë është vetëm 1 pikë larg Realit kryesues, por me një ndeshje më shumë të luajtur.

Golat për katalanasit u shënuan nga treshja e sulmit Neymar-Suarez-Messi, ndërsa për madrilenët shënoi Mario Mandzukic nga pika e bardhë e 11-metërshit. Pas ndeshjes, Leo Messi zgjodhi televizionin e klubit ‘BarçaTV’ për të sqaruar javën e zhurmshme që ka kaluar. “Kam dëgjuar nga të gjitha gjatë kësaj jave. Kam dëgjuar që shkoj keq me shumë persona, por nuk kam përgënjeshtruar asgjë pasi edhe më parë kam dëgjuar që shkoja keq me Guardiolën, Bojanin, Ibrahimovicin…  Ajo që më lëndon më shumë është që këto gjëra nuk thuhen nga Madridi, por vijnë nga mediat katalanase. Thonë që unë drejtoj klubin, por kjo nuk është aspak e vërtetë, unë jam si gjithë të tjerët. Nuk marr vendime. Nuk kam ndërmend të shkoj as te Chelsea e as te Manchester City. Gjithçka që thuhet nuk është e vërtetë”, tha Messi.