Djali i madh i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ilir Hoxha i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama dhe për dijeni dhe ambasadorëve në Tiranë, pas shembjes së shtëpisë ku jetonte e veja e diktatorit Nexhmije Hoxha.

Ilir Hoxha shkruan se kishin treguar mirëkuptim të plotë për t’i hapur rrugë realizimit të projektit të Unazës së Madhe por se më datë 26 qershor 2020, ora 9:00, në godinën ku banonte familja Hoxha, u paraqitën inspektoret e IKMT me fadroma për të prishur ndërtesën, ndërkohë që nuk kishte ardhur asnjë vendim shkresor nga IKMT për prishjen e pallatit.

This slideshow requires JavaScript.

Sipas tij, “pas presioneve të vazhdueshme arrogante të punonjësve të IKMT, duke na prerë dhe dritat për ta bërë fakt të kryer, na nxorën me dhunë nga banesa, ku kishin mbetur shumë relike dhe materiale të Enver Hoxhes si dhe objekte tona personale”.

Ilir Hoxha e krahason me nxjerrjen nga shtëpia në vitin 1993, në kohën e Berishës. Ai paralajmëron padi ndaj IKMT-së dhe thotë se do kërkojë dëmshpërblim moral dhe material.

LETRA E PLOTË
Tiranë, më 29.06.2020
LETËR E HAPUR

DREJTUAR: ZOTIT EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPËRISË

PËR DIJENI: ZONJËS YURI KIM
AMBASADORE E SHBA

ZOTIT LUIGI SORECA
AMBASADOR I BE

ZONJËS ERINDA BALLANCA
AVOKATE E POPULLIT
KOMITETIT TË HELSINKIT PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT VJEN

Ju drejtohem Juve Z. Edi Rama (pavarësisht opinionit që keni për Enver Hoxhen, ai është mendimi juaj që mua nuk më intereson) une po ju drejtohem si Kryeministri i vendit tim, për të me mbrojtur nga institucionet që ju drejtoni. Më konkretisht ndaj IKMT-së me drejtuese Znj Dallëndyshe Bici.

Bazuar në ligjin e shpronësimeve Nr. 8561 datë 22.12 1999, në kuadër të realizimit të projektit “Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta- Rrethrrotullimi Shqiponja”, (Loti I), u njoftuam për shpronësimin e banesës sonë. Nuk patëm asnjë kundërshtim, madje treguam mirëkuptimin tonë të plotë, për mospengimin e realizimit të kësaj vepre të madhe publike. Ndërkohe ishim në pritje të merrnim dëmshpërblimin që na takonte, që të sistemoheshim në një banesë tjetër si dhe prisnim njoftimin shkresor nga IKMT-ja në lidhje me afatet që ne duhet të largoheshim nga banesa. Gjykoj se këto janë detyrime që administrata shtetërore ka ndaj qytetarëve të këtij vendi, të cilet kanë të drejtën të trajtohen me kujdesin dhe respektin e duhur dhe jo me veprime fashiste sic ndodhi me ne.

Por…
Më datë 26 Qershor 2020, ora 9, në godinën ku banoja une dhe pjestarë të tjerë të familjes Hoxha, u paraqitën inspektoret e IKMT me fadroma për të prishur ndërtesën. Për t’ju vëne në dijeni, neve nuk na kishte ardhur asnjë vendim shkresor nga IKMT për prishjen e pallatit, ku duhej të ishte e përcaktuar dhe data që duhej të largoheshim nga ndërtesa. Pra u ndodhëm para një veprimi krejt arbitrar. Në këto kushte u detyrova t’idërgoj nje sms znj. Dallëndyshe Bici ku i shkruaja: “Mirëdita, po ju lutem për një gjë. Kanë ardhur për të prishur shtëpinë. Nuk kemi kundërshtim. Të lutem ta shtyni dhe dy ditë se nuk po arrijmë të zbrazim apartamentin. Do ju lutesha me mirëkuptim për shtyrjen. Faleminderit. Me respekt Ilir Hoxha.

Zonja në fjalë megjithëse e pa sms, nuk dha asnjë përgjigje, duke qenë institucioni i saj fajtor.

Për mos u zgjatur, pas presioneve të vazhdueshme arrogante të punonjësve të IKMT, duke na prerë dhe dritat për ta bërë fakt të kryer, na nxorën me dhunë nga banesa, ku kishin mbetur shumë relike dhe materiale të Enver Hoxhes si dhe objekte tona personale.

Qëllimi i znj. Dallëndyshe Bici ishte që me cdo kusht të nxirrte në mes të katër rrugëve familjen e Enver Hoxhes, dhe ia arriti qellimit.

Mbetem pa shtëpi dhe ato orendi dhe objekte që shpëtuam i shpërndamë në miq e shoqeri. Më vjen keq zoti Kryeministër që t’ju them, se u përserit e njëjta situatë sic na nxori nga shtëpia Sali Berisha në vitin 1993. Më vjen cudi si përputhen këto akte fashiste edhe pas 30 vjetëve, për më shumë nga një qeveri e majtë?!!!

Por, nuk mbyllet me kaq. Persekutimi i familjes së Enver Hoxhes u duk qartazi, se pasi na larguan me forcë nga banesa, IKMT jo vetëm nuk e prishi pallatin por lejoi të hyjnë njerez nga rruga që të plackitnin cfarë kishte mbetur në banesën tonë. Në këtë rast ne u demtuam jo vetëm materialisht por edhe moralisht se gjërat e shtëpisë tonë përfunduan në duart e njerëzve të panjohur, ndërkohë që mund të ishim lejuar ne ta boshatisnim banesën.

Nuk e kuptoj zoti Kryeminister. Administrata juaj kishte gati dy vjet kohë, që cdo gjë të shkonte më së miri. Edhe ne të sistemoheshim në kohë dhe punimet të mos pengoheshin. Pse duhet kjo arrogance. Për të treguar që jeni të fortë dhe mund të bëni cfarë të doni, apo keni një administratë të paaftë për fatkeqësi të këtij populli.

Institucioni i IKMT mban përgjegjësi dhe une do të ndjek rrugën ligjore për:
– Dhunim banese
– Vjedhje e relikteve dhe dokumentacioneve të ndryshme të Enver Hoxhës
– Vjedhja e orendive personale
– Shkelja e të drejtave të njeriut
– Dëmi moral dhe ulja e dinjitetit të familjes time.

Për të gjitha këto do të kërkoj dëmshpërblim moral dhe material.
Uroj dhe shpresoj që drejtësia e re do të jetë e paanshme dhe jo e politizuar.
Në fund kam një falenderim për korrektësinë e Policisë së Shtetit që ishte në lartesinë e detyrave të saj.
Me respekt
ILIR HOXHA