KY VENDIM PAS NISMËS SË SERBISË PËR KRYETARIN E SHTËRPCËS. Prishtina ankohet në Bruksel duke akuzuar Beogradin për shkelje të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ky reagim vjen pasi qeveria e Serbisë mori vendim për të emëruar kryetarin aktual të komunës së Shtërpcës, edhe në pozitën e kryetarit të komunës paralele serbe në atë qytezë në jug të Kosovës si dhe disa emerime të tjera në strukturat paralele në Kosovë. Qeveria e Kosovës i kërkon Bashkimit Evropian, të ndërhyjë duke marrë të gjithë hapat e duhur për të ndalur Serbinë në lëvizjet e saj që kanë të bëjnë me strukturat paralele, duke theksuar se ajo po vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit. Duke i konsideruar këto veprime të Beogradit si thellësisht destruktive Qeveria e Kosovës dekalron se kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i bisedimeve si dhe cenojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. “Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e Bashkimit Evropian për fqinjësi të mirë dhe qëndrueshmëri rajonale, përkundrazi janë akte dëshpërimi kur tentohet të pengohet legjitimiteti demokratik dhe puna e kryetarëve komunal të zgjedhur në mënyrë të rregullt në bazë të Kushtetues dhe ligjeve të Kosovës- thuhet në reagimin e qeverisë në Prishtinë. Sipas marrëveshjes së Brukselit është rënë dakord që Serbia të shuajë strukturat e saj në veriun e Kosovës. Bisedimet pritet të rinisin më 9 shkurt dhe kryeministri serb Aleksandër Vucic ka dekalruar se do të jenë të vështira dhe Beogradit do ti vihen kushte të rënda. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës edhe pse është përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve si kusht për ecurinë e saj drejt proceseve integruese.