Situata të veçanta dhe zgjedhje interesante. Brazili ka sjellë disa risi me Titen në krye të skuadrës.

Trajneri ka shpjeguar në konferencën për shtyp edhe zgjedhjet që ka bërë në këtë Botëror, përgjigjet për akuzat e trajnerit të Meksikës në lidhje me Nejmarin si dhe sjelljen dhe përmirësimin e skuadrës.

Çdo skuadër ka një markë të veten dhe një mënyrë loje. Unë nuk bëj krahasime me një tjetër, por di të them që Brazili ka një veçanti në lojën e saj, në krahasim me shumë skuadra të tjera.

Kam parë shumë ekipe që mundohen të markojnë lojtarin, ndërsa ne jemi agresivë në çdo sektor, markojmë hapësirën dhe topin. Duke bërë këtë, çdo kundërshtar është në vështirësi.

Kjo nuk vjen aspak rastësisht, por me strategji dhe me stërvitje. Cilësia kryesore që kemi është balanca në fushë. Dhe kjo na bën një nga skuadrat që krijon më shumë.

Tite tha se Brazili nuk është favorit, por paralajmëroi një Brazil të frikshëm.

Çdo kundërshtar na e tregon sa vështirësohet kompeticioni. Meksika që ne e mundëm, luajti shumë mirë ndaj Gjermanisë dhe fitoi ndaj saj. Por, niveli i skuadrës sonë është i gatshëm për t’iu përgjigjur kundërshtarëve dhe nivelit të Botërorit.

Kemi parë edhe Rusinë që ka luajtur mirë, ka përballuar Spanjën dhe ka kaluar me meritë. Ndaj, nuk më pëlqen të na quajnë favoritë.

Në momentin që unë shoh ekipin tim të progresojë dhe të rritet nga ndeshja në ndeshje, aq më tepër ndaj një kundërshtari me karakteristika shumë të mira, bindem për forcën që kemi. Prisni një skuadër të frikshme në vijim.